27 viktima me COVID-19 në Shqipëri! 'Shërohet' Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja

22 Prill 2020, 11:22 | Përditesimi i fundit: 2020-04-22 14:44:29

TIRANË- Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë 'shëruar' nga COVID-19, e ndërsa harta vijon të zgjerohet në Krujë, Elbasan, Tiranë, Shkodër dhe Kurbin. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv 25 persona, shifër kjo e cila sipas zv. ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, edhe pse mund të jetë më e lartë se javën e kaluar, është tregues se situata është në kontroll. 20 raste janë vetëm në Krujë dhe Elbasan, ku vatra e infeksionit është në bizneset fasone, e si pasojë janë konfirmuar pozitiv punonjës dhe familjarë si raste kontakti.

Në total që nga konfirmimi i rastit të parë në Shqipëri janë testuar 6269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 27 qytetarë. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë 71-vjeçar, ish-oficer i Marinës, i cili sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prej dy javësh ishte i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç'rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial).  Një shifër optimiste, sipas Rakacollit, e cila tregon se situata është në kontroll është se numri i të shëruarve është më i lartë se i personave të infektuar aktiv, 356, krahasuar me 251 të prekur aktiv me COVID-19. Gjithashtu është edhe numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Aktualisht, në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë, më konkretisht janë 33 të shtruar te spitali Infektiv, 4 pacientë janë në terapi intensive dhe në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar, 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar.