29 raste të reja/ 13 të infektuar me COVID-19 te '313-ta' në Tiranë...

23 Prill 2020, 15:19

TIRANË- 13 raste janë konfirmuar me COVID-19 në burgun 313 në Tiranë, pas zbulimit të të burgosurit të parë të infektuar në këtë institucion. Bëhet fjalë për raste kontakti me italianin e konfirmuar pozitiv disa ditë më parë te 313-ta, i arrestuar në 2018 nga RENEA në Durrës, si pjesë si pjesë e organizatave mafioze.

Ndërkohë, në total janë 29 raste të reja nga 240 teste të kryera gjatë 24 orëve, nga të cilat 20 janë në Tiranë, përfshirë këtu edhe burgun 313, 7 në Krujë, punonjëse në fasoneri dhe familjarë të tyre, e ndërsa 2 të tjerat në qytetin e Shkodrës.  Ashtu sikurse është theksuar edhe më herët nga ekspertët e Komitetit Teknik, me lehtësimin e masave ka pasur një rritje të rasteve të reja të të infektuarve, megjithatë, sipas tyre situata është njëlloj e kontrolluar. Kjo sepse, sipas përfaqësueses së Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja rastet e reja janë të lokalizuara në dy vatra që po monitorohen dhe ndiqen nga epidemiologët në terren.  Deri në këto momente janë testuar 6509 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 663 raste.

Teksa ka pasur 29 raste të reja të të infektuarve, 29 ka qenë edhe numri i të shëruarve, shifër kjo e cila ka shkuar në total në 385, me 5 qytete që janë " shëruar" (Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja).

Megjithatë, ndonëse ka pasur një rritje të personave të të infektuar, është ulur numri i pacientëve të shtruar në spital. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë, 6 më pak se një ditë më parë. Më konkretisht në shërbimin infektiv aktualisht janë 26 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion.