298 milion dollarë ndihma për Libanin/ Protestat vijojnë! Dorëhiqen ministra e deputetë

10 Gusht 2020, 12:18

LIBAN- Libani nuk gjen qetësi, ministrat kryesorë japin dorëheqjen ndërkohë që demonstruesit prej dy ditësh radhazi kanë vërshuar në rrugët e Bejrutit, ku pati edhe përleshje mes protestuesve dhe policëve, në hyrje të godinë së parlamentit shpërtheu edhe një zjarr.

Ministri i Informacionit Manal Abdel-Samad, Ministri i Mjedisit Damianos Kattar dhe disa anëtarë të parlamentit po ashtu dhanë dorëheqjen, por  si duket dorëheqjet nuk e kanë kënaqur turmën e zëmëruar me elitën politike të vendit.  Ndërkohë që sipas burimeve të fshehta, Kryeministri Hassan Diab u kërkoi ministrave që po mendonin të jepnin dorëheqjen të prisnin edhe pak. të shtunën në mbrëmje kryeministri kishte bërë me dije që zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen brenda dya muajsh, sapo të arrihet marrëveshja mes palëve, gjë e cila nuk I kënaqi aspak qytetarët e shkatërruar ekonomisht, të pastrehë dhe tejet të zëmëruar  me shtresën politike në vend.

Ndërkohë në anën tjetër liderët botërorë përfshirë presidentin Trump morën pjesë në një konferencë të donatorëve përmes një video konference të  organizuar nga Presidenti Francez Emmanuel Macron, gjatë së cilën u mblodhën  298 milion dollarë ndihma. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se ishte i gatshëm të "dyfishojë përpjekjet" për të ndihmuar Libanin, por institucionet duhet të tregojnë vullnet për të reformuar institucionet e vendit.

Shpërthimi në portin e Bejrutit, i cili vrau të paktën 160 njerëz, plagosi mijëra dhe la qindra mijëra të pastrehë, ka nxitur thirrjet për një ndryshim drastik të sistemit politik të Libanit, të mbizotëruar nga dinastitë familjare./ Përgatiti Suada Mehmetaj