3 shtete firmosin memorandumin për korridorin 8-të! Shqipëria, Maqedonia e Bullgaria do lobojnë për fonde

19 Tetor 2021, 21:25

TIRANË- Është nënshkruar në Sofje memorandumi trepalësh i bashkëpunimit mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të promovuar korridorin 8. Pas nënshkrimit të memorandumit ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ndërtimi i kësaj infrastrukture, ka rëndësi thelbësore për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

“Tashmë me të gjitha projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave, ashtu edhe në atë të rrugëve, por padyshim edhe porti i ri i Durrësit jemi të sigurtë se ky projekt i madh, ky projekt që përfshin të tre këto vende do të jetë një sukses në të ardhmen. Kemi diskutuar bashkë me kolegët përsa i përket hapave në të ardhmen dhe kemi rënë dakord që një agjendë e përbashkët për të promovuar korridorin e 8-të si një nga korridoret më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik jo vetëm për vendet tona, por edhe për vendet e tjera të rajonit është një domosdoshmëri për agjendat e të tre ministrive të infrastrukturës në të ardhmen”, tha ministrja Balluku.