4 kandidatë të LSI drejt karrigeve të deputetit

1 Mars 2019, 16:38 | Përditesimi i fundit: 2019-03-01 17:17:48

57 vendet bosh të opozitës së dorëhequr nga Parlamenti, pritet të zëvendësohen nga kandidatët në listat zgjedhore të forcave politike opozitare, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Report Tv, mëson se 4 kandidatë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë hedhur hapin e parë për të shkuar drejt karriges së deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë të premte ata i janë përgjigjur thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke dorëzuar në këtë institucion formularët e vetëdeklarimit. Një hap ky i detyrueshëm me ligj, për tu verifikuar pastërtia e tyre në sajë të ligjit të dekriminalimit.

Katër kandidatët janë, Ylli Shehu, Enver Roshi, Aurora Mara dhe Edmond Abaz Rrushi.

Report Tv mëson gjithashtu se në total deri më tani janë 11 kandidatë nga PD dhe LSI që pritet të pranojnë mandatet, pas vendimit të opozitës së bashkuar, që çoi në djegien e mandateve.

Nga Kuvendi dolën, PD dhe aleatët e djathtë, dhe LSI. Kundër vendimit të partive, dolën Lefter Koka i LSI-së dhe Myslim Murrizi i PD-së, të cilët nuk hoqën dorë nga mandati i deputetit. Ndërkohë, Rudina Hajdari e PD-së, ka dhënë sinjalet se nuk do të dorëzojë mandatin. Ndërsa sot dha dorëheqjen edhe Nard Ndoka, pasi më herët ndodhej jashtë shtetit.

Po sot, në KQZ mbërriti edhe  përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso i cili dorëzoi listën me emrat e dorëhequr të kandidatëve. Ai tha për gazetarët se të gjithë kandidat në listën e PD kanë firmosur dorëheqjen e parevokueshme, por ka emra nga aleatët që nuk e kanë dorëzuar dorëheqjen.

"Për të gjithë këta persona që i përkisnin PD, kemi dorëzuar dorëheqjen individuale të parevokueshme. Të gjithë kandidatët që kanë qenë pjesë e listës së PD, të gjithë kanë firmosur dorëheqjen e parevokueshme. Përveç ndonjë kandidati, i cili ka qenë pjesë e partive aleate para 2017, që janë raste të njohura publikisht dhe kanë shprehur vullnetin për të mbajtur mandatin, por nuk janë persona që janë të PD, që bëjnë pjesë në koalicionin opozitar", - u shpreh Ivi Kaso.

Report Televizion mëson se janë dorëzuar në total, 48 dorëheqje të kandidatëve, nga 57 që duhej të ishin në total. 37 kandidatë janë dorëhequr nga PD, nga 40 që duhej të ishin dorëhequr. Ndërkohë, 11 kandidatë nga listat e LSI-së kanë firmosur dorëheqjet, nga 17.

Nuk dihet ende se si do të veprojë KQZ pas veprimit të PD-së, pasi si procedurë, nuk mund të dorëzohet në bllok dorëheqja e kandidatëve, kur fillimisht duhet bërë njoftimi i veçantë  secilit prej tyre. Brenda 10 ditëve nga thirrja e KQZ-së, kandidati duhet të dorëzoje formularin e vetëdeklarimit, ose në të kundërt brenda këtij afati të deklarojë dorëheqjen nga thirrja për të zëvendësuar deputetët e larguar të PD-së.

    No videos found.