4 vrasje në 10 ditët e para të janarit/ Sociologu: Ana psikologjike e çekuilibri emocional ndikojnë në veprime kriminale

10 Janar 2020, 18:32

TIRANE- Ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin mëngjesin e sotëm, me vrasjen në familje, ku viktimë mbeti  Enkeleda Çapoku, nga kunati i saj, nuk ka qenë e vetmja në këto ditë të para të 2020-ës. Ndonëse data shënon 10 janar, deri më tani janë shënuar 4 vrasje, ku dy prej tyre kanë qenë krim në familje. Por opinioni publik këtë fillim viti është tronditur dhe nga vrasjet për larje hesapesh apo konflikte që vijonin prej vitesh.

Por si e shpjegon sociologu Edmond Dragoti këtë cështje shqetësuese për shoqërinë shqiptare?

“Vërtetë ka raste më të shpeshta në periudha festash kryesisht dhe sidomos në fillim viti.  Kjo lidhet jo aq shumë me festat sesa me faktin që njerëzit janë të ngritur psikologjikisht do tw thotw janë të optimuar. Por nga ana tjetër ndikojnë dhe faktorë të tjerë që lidhen kryesisht me faktin se në periudhat e vitit të ri, në periudhat e festave të vitit të ri, kthehen shumë emigrant në Shqipëri. Shqipëria popullohet si vend dhe shumë njerëz që kanë konfklikte me njëri tjetrin e të tjera i lajnë hesapet pikërisht në këto ditë”-u shpreh sociologu. Sipas sociologut  personat që janë të prirur për të dhunuar kanë luhatje të emocioneve.

“Personat e predispozuar për të dhunuar ose për të qenë agresivë, kriminel të mundshëm, janë persona që janë të çekuilibruar emocionalisht, kanë luhatje të emocioneve të tyre, herë janë në humor dhe herë janë shumë të dhunshëm, ose të zemëruar, të nervozuar etj. Pra që ai të kryejë një krim duhet që të ketë një gjendje shumë të ngritur emocionale, një nervozizëm jashtë kontrollit”- tha Edmond Dragoti

Shfaqja në media e krimeve të tilla, luan rol ndërgjegjësues duke e orientuar shoqërinë në ndëshkimin e rastit por duke e përmendur shpesh dhe duke mos mbajtur qëndrime të drejta e familjarizon shoqërinë me krimin duke e mësuar të bashkëjetojë më të.