40-vjeçari u zhduk nga Shkodra pa lënë gjurmë, motra në Report TV: Largimi i tij na ra si bombë!

10 Dhjetor 2019, 17:53 | Përditesimi i fundit: 2019-12-10 18:46:39

TIRANË- Andi Lekaj, 40-vjeç, banues në zonën Dudas të Shkodrës, u largua pasditen e së enjtes të 26 shtatorit të këtij viti, duke humbur çdo kontakt me të afërmit e tij. Emisioni 'Pa Gjurmë' në Report Tv, trajtoi këtë të martë historinë e 40-vjeçarit nga Shkodra të humbur në shtator, duke kërkuar informacione të vlefshme për t'i dhënë një lajm të gëzuar familjarëve të tij.

Me vete ka marrë vetëm kartën e identitetit dhe një aparat celulari, por ai del i fikur që prej ditës kur ai u zhduk.  Andi u largua me biçikletën e tij, e cila rezulton e zhdukur bashkë me të. Ai jetonte i vetëm dhe për këtë arsye nuk njoftoi askënd kur u largua.

"Ditën e martë kam folur me të, kam bërë muhabet se doja të ikja disa ditë dhe bëra muhabet siç bën motra me vëllanë. S'ka qenë as i klubeve, asnjëherë nuk e ka shprehur dëshirën se donte të ikte jashtë, ne i kemi qëndruar shumë afër se vëlla, 'shpirti' siç i thonë. Djali im shkoi në shtëpi, unë i kisha lënë disa gjëra në një vend dhe aty na bënë të dyshonim se ka diçka që nuk shkonte me të. E pyeta unë ku je, më tha "në shtëpi". Kur kam shkuar unë, që nuk e gjeta në shtëpi, e mora në celular dhe nuk m'u përgjigj. Asnjë nga fqinjët nuk e ka parë.  Shkuam aty, pritëm- pritëm, nisëm të kontrollonim, s'gjetëm. Shkuam në spital, as aty nuk gjetëm njeri dhe pastaj bëmë denoncimin në Polici. Ne na ra si bombë...s'kemi asnjë informacion. Një person më ka thënë që e kemi parë në Zusë, një tjetër na tha që ka shkuar në Murriqan, kemi shkuar aty, por Policia s'ka bërë asnjë kërkim. I gjithë fisi kemi bërë kërkimin. Është 1 e 70  gjatë, i dobët, flokë të zeza kaçurrele. Ka qenë tip shumë i mbyllur. As ka pasur konflikte me askënd. Ka 10 vite që nuk ka punuar se i ka bërë shërbim babait se e kemi pasur sëmurë. Ka jetuar me një ndihmë ekonomike, 17 mijë lekë dhe e ka ndihmuar vëllai. Babai ka një peng, që nuk ka qenë i martuar. Nuk është larguar kurrë më parë nga shtëpia. Sipas Policisë, nuk ka kaluar kufirin", tha motra e tij, Majlinda Biçaku e ftuar në studion e Report TV.

Sipas informacioneve të marra, një ditë para se të zhdukej, Andin e kanë parë në Shirokë, ndërsa ditën që u largua, pra më 26 nëntor, e kanë parë në Oblig, rrugës për në pikën kufitare të Muriqanit. Familjarët kanë bërë menjëherë denoncimin në polici, por Andi Lekaj, sipas sistemit TIMS, nuk rezulton të ketë kaluar kufirin në mënyrë të ligjshme. Dyshimet janë se ai të ketë kaluar kufirin në mënyrë ilegale, duke i shpëtuar policisë.

Andi Lekaj, atë ditë kishte veshur një palë xhinse dhe një këmishë të bardhë. Është i  gjatë 170 cm, me flokë kaçurrela, te zeza  me trup të dobët. Kjo është hera e parë që Andi largohet nga shtëpia në këtë mënyrë, pa lënë asnjë gjurmë.

    No videos found.