45 ditë nga tërmeti, nis ndërtimi i banesave në Korçë, Balluku: Fillimisht familjet në vështirësi

16 Korrik 2019, 19:35 | Përditesimi i fundit: 2019-07-16 22:34:47

KORÇE-45 ditë nga tërmeti sot ka nisur ndërtimi i banesave që u dëmtuan në fshatin Floq. Të pranishëm në nisje të punimeve ishin ministrja Balluku dhe drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako, por reshjet e shiut nuk pushuan duke treguar edhe njëherë domosdoshmërinë e rindërtimit sa më të shpejtë të banesave që u dëmtuan.

"Qeveria shqiptare është impenjuar për të ngritur fonde solidariteti qoftë nga bizneset, bashkitë që na kanë mbështetur. 124 shtëpitë që janë të pabanueshme do të ndërtohen. Janë 40 shtëpi që do të nisin nga puna. Jemi duke nisur simbolikisht me njërën nga banesat. Sot një ditë me shi si për të na treguar që duhet ti marrim sa me shpejt masat.

Kantieret do të hapen paralelisht në zone dhe do nisin punën menjëherë. Të gjithë investitorët do nisin punën paralelisht. Edhe në Qafzez e në Vidohovë. Ne kemi prioritizuar familjet me vështirësi sipas kritereve apo problemeve sociale. Do nisim punë nga ata që janë më të dëmtuar. Këto fonde janë siguruar nga investitorët që bashkëpunojnë me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë" tha ajo.

Ndërsa drejtori i Emergjencave Civile Haki Cako theksoi se  "Në bashkëpunim me institutin e projektimeve të ndërtimit janë bërë disa projekte specifike të cilat janë mbështetur mbi numrin e banorëve për cdo familje dhe do të nisë ndërtimi i tyre për ti sistemuar banorët. Risqaroj se janë në përputhje me të gjitha standardet e ndërtimit" tha ai. Si pasojë e lëkundjeve të shumta që pasuan tërmetin në juglindje në 1 qershor u dëmtuan shumë banesa në fshatrat Floq,  Qafzez e në Vidohovë, ndërsa banorët janë strehuar në shkollën e fshatit.