75 % e shqiptarëve nuk mbështesin protestat, Basha: Shërbëtor i krimit kush nuk është me ne

16 Maj 2019, 17:40

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se opozita e ka marrë vendimin për tu përballur me çdo mjet kundër qeverisë, dhe se kush ishte kundër tij, ishte shërbëtor i krimit.

"Asgjë nuk mund të kursehet në këtë betejë. Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit, sepse skenari tjetër është që Shqipëria, përfundimisht të bjerë si demokraci, të bjerë si shtet i së drejtës dhe të kthehet edhe de jure në juntë kriminale", tha Basha.

Por çfarë mendojnë shqiptarët për këtë aksion opozitar? 

Report TV publikoi rezultatet e sondazhit të kryer në bashkëpunim me institutin “GPF Inspiring Research”, ku 69.4% e shqiptarëve të pyetur mendojnë se protestat e opozitës nuk duhet të vazhdojnë,  ndërsa vetëm  25.7 % mendojnë se protestat duhet të vijojnë.

Po ashtu, vetëm 20.1 % e të pyeturve mendojnë që protestat e opozitës janë paqësore, kundrejt 71.8% të atyre që i konsiderojnë të dhunshme.

Nëse vetëm çereku i shqiptarëve e mbështesin vijimin e protestave opozitare, atëherë mbi deklarimet e zotit Basha, a mund të konsiderohen 75 % të tjerët  si shërbëtorë apo skllavë të krimit?

Pavarësisht përgjigjes për këtë pyetje, Basha ka thirrur protestën e radhës kombëtare në 25 maj.