76 të prekur me koronavirus në Shqipëri, 59% e të infektuarve meshkuj! Dy pacientë lënë spitalin, në vetëkarantinim për 14 ditë

21 Mars 2020, 15:35

TIRANË- Pas 46 testeve të kryera për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 6 persona, duke e çuar në total në 76 numrin e të infektuarve në Shqipëri. Referuar shifrave zyrtare të raportuara deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, meshkujt janë më të prekurit në Shqipëri nga koronavirusi, ku përbëjnë 59% e të infektuarve, e ndërsa 41% janë femra. 6 rastet e reja janë vijojnë të jenë nga dy qytetet më të prekura, Tirana dhe Fieri dhe janë kontakte me pacientët e konifrmuar më herët pozitiv.

Ashtu sikurse u bë e ditur një ditë më parë, dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues, por edhe pas daljes nga spitali, ata do të vijojnë  të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike kurën e përdorur. "Ministria  e Shëndetësisë ka siguruar medikamente bazë, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT. Terapia mbështetet në protokollin klinik, mbështetet në medikamentet që trajtojnë shenjat klinike, simptomatike si dhe preparatet anti-viral. Personat që kanë lënë spitalit do të ndjekin masën e vetëkarantinimit duke respektuar etiketën respiratore për 14 ditë dhe higjienën personale", bën me dije Ministria e Shëndetësisë.