98 deputetë i hapin rrugën shkarkimit të Metës, miratohet Komisioni Hetimor! Balla: Koha t'ia heqim këtë turp vendit!

7 Maj 2021, 17:58 | Përditesimi: 7 Maj 2021, 17:58

I hapet rruga për herë të dytë shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Raporti i 'Ligjeve' për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votën pro të 98 deputetëve. Kuvendi miratoi me 97 vota pro gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtarë të tjerë. 

Seanca e sotme u shoqërua me fjalime shumë të forta për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta. Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo nismë është një detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën. Balla tha se me këtë nismë synohet t'i hiqet turp i madh Shqipërisë me këtë President. Duke nënvizuar se kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së Meta, Balla kishte edhe një thirrje që shkon edhe për Lulzim Bashën. "Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë", tha Balla. 

Ndërkohë që deputeti Myslim Murrizi sheh shumë arsye që Ilir Meta të hetohet realisht por jo këto që thotë mazhoranca. Sipas tij shtetësitë dhe dekoratat pa fund janë arsye serioze pasi i është dhënë shtetësi edhe kriminelëve por edhe janë dekoruar xhelatë të komunizmit. 'Një hajdut më pak, shpresoj ta keni seriozisht', tha Murrizi. 

Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhit, raportin që u miratua sot në seancë plenare, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor. Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës, pasi sipas tyre ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës. Në raportin për ngritjen e komisionit hetimor, thuhet se Ilir Meta, me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në raportin për Parlamentin thuhet se Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi. Sipas raportit, Meta ka shkelur edhe formulën e betimi si President. Kur mori detyrën, Meta u betua me dorën mbi Kushtetutë se do t’u qëndrojë besnik parmeve kushtetuese, por sipas raportit, sjelljet dhe në mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën

b.ha./Shqiptarja.com