A do të ketë koalicioni me lëvizjen Vetëvendosje? Osmani: Kurti nuk mund të sillet si fitues absolut

25 Tetor 2019, 22:14 | Përditesimi i fundit: 2019-10-25 22:14:43

Kandidatja për pozitën e kryeministrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se koalicioni me lëvizjen Vetëvendosje duhet të bëhet me partneritet në mes të barabartëve dhe se asnjëra palë sipas saj nuk mund të sillet si fitues absolut dhe ta trajtojë palën tjetër si një aksesor. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zonja Osmani thotë se afati i pranverës së vitit 2020 nuk është kërkuar nga aleatët perëndimorë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por për të sjellë prapë të dyja palët në tavolinë dhe për të rifilluar negociatat.

Zëri i Amerikës: Zonja Osmani, Kosova ende po numëron votat me kusht, ndërsa ju tashmë keni biseduar me lëvizjen Vetëvendosje për qeverinë e re. A është kjo çështje e kryer tashmë?Vjosa Osmani: Natyrisht që do të varet shumë nga vullneti i të dyja partive, unë mund ta konfirmoj që nga ana e LDK-së ka vullnet për bashkëpunim dhe ka përpjekje të sinqerta në mirëbesim të plotë që të arrijmë një marrëveshje, por kjo nuk do të varet vetëm nga vullneti ynë por edhe nga ajo se sa arrijmë pajtim për çështje që janë të rëndësisë të madhe për qeverisjen e ardhshme, prandaj ka edhe tema të rëndësishme që këto ditë po diskutohen ndërmjet grupeve punuese të cilat sidomos nga java e ardhshme do të intensifikojnë takimet. Është krejtësisht evidente se deri sa jemi dy parti me ideologji të ndryshme dhe për derisa njëra ka më shumë përvojë me qeverisje kurse tjetra më shumë në opozitë ka dallime që unë jam optimiste që ne mund t’i kalojmë mirëpo është me rëndësi për ne si Lidhje Demokratike që të sigurohemi që çështjet që kanë të bëjnë me planin ekonomik apo zhvillimin ekonomik, sistemin ekonomik të vendit të jenë çështje që harmonizohen 100 për qind, njëjtë edhe çështjet sociale por edhe çështja e politikës së jashtme e cila nuk lidhet vetëm me dialogun Kosovë-Serbi por për ne si LDK lidhet me atë që ne e quajmë Kosovë-centrizëm që nënkupton faktin që jo vetëm e njohim dhe e respektojmë Republikën e Kosovës por edhe punojmë për Republikën e Kosovës në kufijtë aktual, që nënkupton që si qeveri e ardhshme ne duhet të kemi harmonizim të plotë lidhur me këto qëndrime që pastaj mos të kemi shembullin e qeverisë së kaluar ku kryeministri kishte qëndrime të tjera në politikën e jashtme, ministrat e tij pastaj kishin qëndrime të tjera, presidenti të tjera dhe në këtë mënyrë vendosnin Republikën e Kosovës në një situatë jo vetëm të pa lakmueshme në aspektin e imazhit por edhe i bënin dëm subjektivitetit tonë ndërkombëtarë derisa edhe krijonin paqartësi tek shtetet jo vetëm që na kanë njohur por edhe ato që akoma nuk na kanë njohur lidhur me atë se si e sheh Kosova vetveten. Pra, ne si qeveri e ardhshme duhet të flasim me një zë, sa i përket asaj se si e shohim Republikën e Kosovës, si luftojmë për subjektivitetin e saj ndërkombëtar, si i kërkojmë njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe cilat janë relacionet tona me shtetet e rajonit. Për këto duhet të pajtohemi në plotëni dhe jo vetëm parcialisht, para se të arrihet një marrëveshje.