TIRANE - Nga Tirana, ku erdhi në vizitë zyrtare me ftesë të kreut të shtetit, Ilir Meta, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, propozoi mbajtjen e një Samiti të Jashtëzakonshëm me shtetet e Ballkanit Perëndimior, për të diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Pendarovski, tha se Maqedonia e Veriut nuk është penalizuar nga Shqipëria për JO-në e negociatave duke shtuar se të dy vendet kanë përparuar njësoj dhe meritonin të merrnin dritën jeshile për këtë hap.
“Procesi i ndarjes së dy shteteve asnjëherë nuk ka qenë pjesë e fjalorit tim sepse mendoj sepse negociatat duhet të hapeshin për të dyja shtetet”, tha Pendarovski.
Presidenti Ilir Meta e shfrytëzoi konferencën e përbashkët për shtyp me homologun maqedonas për të dhënë mesazhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri. Meta e cilësoi një pjekuri politike vendimin e kryeministrit Zoran Zaev për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pas mos marrjes së negociatave duke lënë të kuptohet se edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, duhet ta bëjë një gjë të tillë.
Të dy homologët përsëritën se pavarësisht mos-hapjes së negociatave, për dy vendet nuk duhet të ekzistojë asnjë alternativë përveç anëtarësimit në BE, ndërsa refuzuan propozimin e presidentit francës Emmanuel Macron.
Njëjtë si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut doli e zhgënjyer nga Samiti i Bashkimit Evropian, ku liderët e shteteve anëtarë dolën pa një vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim të dy vendeve, pas vetos që vuri Franca. Maqedonia e Veriut do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 12 prill me një qeveri teknike, pasi Zoran Zaev dha dorëheqjen, ndërsa shpalli sërish kandidaturën për kryeministër.