A është e gatshme vërtetë Shqipëria për të përballuar koronavirusin? 11 pyetje për ministren Manastirliu

7 Mars 2020, 13:25 | Përditesimi i fundit: 2020-03-07 17:10:44

Biseda mes drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 8 në Tiranë dhe personelit mjekësor, e shpërndarë dje nga Partia Demokratike, ku tregohen mungesa të theksuara në mjetet të disponueshme për parandalimin e koronavirusit, ngre pyetje të rëndësishme lidhur me atë se si sistemi shëndetësor po përgatitet të pengojë epideminë e koronavirusit ditën kur ajo të mbërrijë edhe në Shqipëri.

Konferencat e përditshme për shtyp që organizon Ministria e Shëndetësisë tregojnë pak për këtë nivel përgatitjeje dhe të vazhdosh të përsëritësh që çdo gjë është nën kontroll, nuk do të thotë që kjo është e vërtetë. Përvoja botërore ka treguar se kontrollet e pasagjerëve në pikat kufitare nuk shërbejnë për asgjë. Të dhënat e publikuara mbi analizat e kryera vlen akoma me pak, pasi në Itali, për të identifikuar 4.600 të sëmurë, u kryen 37.000 analiza mbi po kaq raste të dyshuara. Është e qartë se me vetëm 60 analiza të kryera në Shqipëri rezultati do të jetë zero. Kjo nuk do të thotë që strategjia e ndjekur nga autoritetet shqiptare është e gabuar: infodemia e shpërthyer në Itali, me analiza kudo dhe me një transparencë absolute për të dhënat e grumbulluara, po i shkakton dëme të jashtëzakonshme ekonomisë, ndërkohë që, për shembull, në Francë e Gjermani bëjnë shumë pak analiza dhe, për pasojë, zbulojnë shumë pak raste, duke pasur një përfitim shumë të madh ekonomik, si dhe nuk shkaktojnë panik tek popullata.