Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon akoma për numërues që mund të kenë vjedhur vota më 11 maj, në mënyrë që t’i dorëzojë ata përpara drejtësisë. Sot KQZ ka hapur 210 kuti në total, si të votave brenda vendit, si të diasporës (44 kuti). KQZ do të rinumërojë fletët e votimit si edhe do të verifikojë materialet zgjedhore për të parë nëse ka mospërputhje.
Nuk do të rihapen kuti në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës, ku rinumërim u bë nga KAS menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesë të opozitës.
Nga ky proces i verës, u zbulua se kryesisht në Fier, kishte abuzime serioze me votën, por Komisioni i Ankesave nuk dërgoi asnjë në prokurori, duke lënë komisionerin Ilirjan Celibashi ta bëjë këtë proces, pikërisht tani, në këtë fazë.


















