Abuzimet me pronat/ Dënohet për herë të dytë Pëllumb Petritaj! Gjykata e Vlorës cakon 5 vite e 4 muaj burg për dy akuza

24 Janar 2020, 16:37

VLORE- Pëllumb Petritaj, njeriu që është marrë disa herë i pandehur nga prokuroria për “Falsifikimin e dokumenteve”, me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdetin e Vlorës dhe “Pastrim parash”, është dënuar me 5.4 vite burgim nga gjykata e Vlorës. Vendimi është dhënë në 21 janar nga gjyqtari i Vlorës, Skënder Haluçi, ndërsa prokuror i çështjes penale, ka qenë Albert Kuliçaj, person ky që në 21 dhjetor 2019, iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli në makinën e parkuar shumë pranë banesës në Vlorë. Dënimi me 5.4 vite burgim për Pëllumb Petritaj është i dyti, pasi në muajin prill 2018, Petritaj, është dënuar sërish nga gjykata e Vlorës me 3 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” me qëllim tjetërsimin e një sipërfaqe toke në zonën e Zvërnecit.

Petritaj, akuzohej nga prokuroria e Vlorës për falsifikimin e një vendimi gjyqësor që mban datën 4 maj 1996, ku është vendosur vërtetimi i faktit të lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë së të ndjerit Seit Shehu,duke përcaktuar si trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë Kutbi Shehu, Ramis Shehu, Merjeme Shehu.