Aksident në aksin Laç- Mamurras, 21 vjeçari përplas me makina këmbësorin, arrestohet! Viktima ende i paidentifikuar

8 Qershor, 10:51

Një këmbësor ende i paidentifikuar humbi jetën, pasi u përplas nga nje automjet ne autostradën Milot-Mamurras. Aksidenti ndodhi rreth orës 23 e 10 minuta të mbrëmjes të së premtes, 7 qershor 2024, ku një automjet i drejtuar nga një i ri goditi këmbësorin. Përplasja ishte e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme këmbësorit rreth 60-vjeç i cili ende nuk është identifikuar.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor, u bë arrestimi në flagrancë Egli Babasi 21 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasit që humbi jetën si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej nga Egli Babasi, ndersa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.