Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Duke filluar nga kjo e hënë në orën 18:30 dhe çdo mbrëmje deri më 17 janar “Tek Bunkeri” do të mbahet Java e Dokumentarëve. Aktiviteti vjen në kuadër të projektit “Voiced”, për të gjithë të apasionuarit pas filmit dhe historisë. Ky projekt synon të ndërgjegjësojë dhe edukojë shoqërinë mbi padrejtësitë historike të periudhës së diktaturës në vendin tonë, duke trajtuar dhe rastet e personave të zhdukur. Hyrja për të gjithë të interesuarit është e lirë.
2. “Inside my home” nga Fatmir Boshnjaku titullohet ekspozita që vijon të jetë e hapur te “Parking Art Gallery” në Tiranë. Kjo ekspozitë sjell një dialog mes traditës dhe artit bashkëkohor, duke eksploruar ndjenjën e shtëpisë si identitet dhe kujtimet e pakicave kombëtare në Shqipëri.