Aktiviteti/ Kadare në garë për të 20-ën herë për 'Nobel', Akademia e Shkencave e ripropozon në 85-vjetorin e lindjes

28 Janar 2021, 18:06

Në ditëlindjen e 85-të, Akademia e Shkencave, ripropozon për herë të 20-të Ismail Kadarenë për çmimin “Nobel në letërsi”.

“Është në traditën tonë festimi i ditëve të shënuara, siç janë dhe festimi e nderimi i ditëlindjeve të anëtarëve tanë, por kjo ditë, dita e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave e anëtarit më të vlerësuar të ASH, mikut tonë Ismail Kadare, është një ditë e veçantë. Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atë në lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve”, u shpreh akademiku Skënder Gjinushi.