Akuzat për krime lufte/Pas Thaçit, edhe Avdullah Hoti anulon udhëtimin në Uashington! Prokurori i çështjes reagon për hetimin

25 Qershor 2020, 13:52

Pas Presidentit të Kosovës, Hashm Thaçi edhe Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohej me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç..

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, i duhet të kthehet që të merret me situatën.

"Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti

Për aktakuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili tha se është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor.

Një ditë më parë Prokurori i Specializuar në Prokurinë e Gjykatës së Hagës ka bërë publike një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish kreut të kuvendit Kadri Veseli.  Në deklarim thuhet se Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për 10 akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin e hetimeve dhe gjykimit të çështjes. Sipas prokurorit, besohet se Thaçi dhe Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për të vënë drejtësinë.