Kur duhen edhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në opozitën shqiptare situata është shumë e paqartë, madje tashmë kanë nisur edhe përplasjet.
Pas deklarimeve nga partitë e djathta pranë PD-së por edhe nga vetë LSI se kjo e fundit mund të dalë vetëm në zgjedhje, një tjetër aleat historik i Bashës ka bërë lëvizje që tregon për përplasje të forta brenda kampit opozitar.
Përmes një aktiviteti me rastin e 30-vjetorit të krijimit, Partia Republikane ka prezantuar 36 kandidatët për deputetët në Qarkun e Tiranës. Një lëvizje e tillë është një presion i hapur që i bëhet PD-së, teksa forca më e madhe në opozitë ende nuk ka vendosur se çdo të bëjë me aleancat e saj.
Në mbledhjen e aktivit të Tiranës, kreu i PR-së Fatmir Mediu e mori fjalën pasi folën kandidatët për deputetë.
"E djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. E djathta e ka të domosdoshme të ndërtojë në radhë të dytë një koalicion vlerash, ku idetë tona krijojnë shpresë dhe besim. Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama. Është e domosdoshme të tregojmë që ne kemi forcën për të bashkuar shqiptarët kudo që janë, për t`a bërë Shqipërinë Europiane, për të krijuar shanse dhe mundësi të reja", tha në fjalën e tij fortë Mediu.
