Kur na ndajnë rreth 100 ditë nga data e zgjedhjeve, e kur opozita jashtëparlamentare ende nuk ka qartësuar mënyrën sesi do të shkojë në garën elektorale, Fatmir Mediu ka ashpërsuar gjuhën politike. Ai i kujtoi kryedemokratit Lulzim Basha se marrëdhënia e partive të frontit opozitar nuk duhet të jetë thjesht kalkulim matematikor votash, teksa sipas Mediut është Partia Demokratike ajo që ka një interes për listë të përbashkët në zgjedhje.

“Në qoftë se ka sot subjekt politik, i cili ka interesin e koalicionit, në radhë të parë është Partia Demokratike. Por si? Do ta bëjmë thjesht si një marrëdhënie aritmetike, apo do të krijojmë një sinergji brenda koalicionit. Në qoftë se ne nuk do t`i kemi këto dy marrëdhënie, e para ide të qarta, të cilat nuk janë vetëm tonat, por janë të gjithë shoqërisë shqiptare, kthehen në një marrëdhënie me ta, unë mendoj që do të jemi te mangët në angazhimin tonë.”, u shpreh Mediu.

Në vendimin që duhet të marrë, Basha duhet të këtë parasysh edhe kontributin e republikanëve, të cilët sipas Mediut i kanë shërbyer ndershmërisht së djathtës.

“I kemi shërbyer ndershmërisht së djathtës, për të bërë gjënë më të mirë për vendin tonë, ne kemi menduar që duhet të bashkohemi për të larguar këtë regjim të korruptuar, regjimin e Edi Ramës. Mënyra për t`a larguar këtë regjim, është vlerësimi i çdo individi në opozitë, çdo qytetari, në mënyrë të padiskutueshme vlerësimi i çdo subjekti politik të opozitës, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i të gjitha forcave politike të opozitës është domosdoshmëri, partive tradicionale, partive të reja, partive opozitare, majtas dhe djathtas, bashkëpunimi me qytetarët, për të ndërtuar frymën e besimit dhe të ndryshimit në Shqipëri. Është e domosdoshme që ta bëjmë.”, u shpreh ai.

Kreu i Republikanëve kërkon nga opozita një kontratë sociale, nëpërmjet së cilës do të kërkojnë votëbesimin e qytetarëve.

“Është e rëndësishme që ne të krijojmë një kontratë sociale të opozitës, për qeverisjen dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, mbas zgjedhjeve të 25 prillit dhe rikthimin në rrugën e integrimit evropian, një marrëdhënie dhe një kontratë sociale dhe politike që duhet ta bëjmë të lexueshme, të kuptueshme, të pranueshme apo të diskutueshme me çdo shqiptar, në çdo skaj të Shqipërisë, për ta bërë pjesë të procesit, sepse pjesëmarrja në këtë proces zgjedhor është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm.”, tha Mediu gjatë takimit me koordinatorët e Tiranës, ku nuk shigjetoi vetëm kryeopozitarin Basha. Akuza hodhi edhe ndaj Ramës, i cili sipas kreut të PR, po bën çdo përpjekje për të përçarë opozitën dhe për të marrë pushtetin nëpërmjet blerjes së votës, krimit dhe korrupsionit.