Arben Pëllumbi në Repolitix: Lista finale e kandidatëve për deputet të PS-së del në fillim të marsit

4 Shkurt 2021, 23:13 | Përditesimi i fundit: 2021-02-05 17:23:40

Lista e kandidatëve për deputetë në Partinë Socialiste për zgjedhjet e  25 prillit mund të dalë në fillim të muajit mars dhe shumicën dërrmuese të kandidatëve publiku i ka në terren.

Kështu bëri me dije gjatë një interviste për emisionin Repolitix në Report TV, sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Arben Pëllumbi.

'Unë besoj se ambasadorët nisen nga një shqetësim që ka nisur nga zgjedhjet e kaluar. ne sot kemi një ligj për dekriminalizimin, pavarësisht se unë nuk jam dakord me termin dhe për mua duhet të jetë një ligj i përkohshëm dhe jo një ligj i përhershëm. Fakti që kemi bërë një ligj do të thotë se kjo nuk ka ngelur thjesht në dorën e individëve apo strukturave, dhe përpara atij ligji përgjigjemi të gjithë. Nëse mua më shkon mendja të fsheh një krim përgjigjem përballë ligjit. Fakti që nuk e ke deklaruar të bën përgjegjës para ligjit. Lista finale e kandidatëve për deputetë do të dalë në fillim të marsit. Publiku shumicën dërmuese të kandidatëve i ka në terren të cilët janë duke punuar. Ka akoma një aktivitet politik dhe ka akoma individë të cilët mund të vijnë për të punuar. Njerëzit që do të jenë në lista janë gjerësisht të njohur.'- u shpreh Pëllumbi.

Për deputetin e Partisë Socialiste LSI po pëson rrjedhje të madhe në të gjithë vendin, pasi sipas tij kjo ishte një parti e cila u krijua me filozofinë se të siguronte një vend pune.

Pëllumbi tha se me këtë filozofi kjo parti nuk tërheq më dhe se LSI do të dalë me rezultate me dobët se në zgjedhjet e 2017.