TIRANE- Anëtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, i cili është kthyer ditët e fundit në shënjestër të një sulmi të Presidentit Ilir Meta, do të jetë sërish anëtar dhe kryetar i Këshillit të ri për Emërimet në Drejtësi, deri në fund të vitit 2020. Dvorani, i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që i ‘mbijetoi’ Vetingut, do të zgjidhet automatikisht anëtar dhe me pas kryetar i KED, për shkak se është i vetmi përfaqësues i Gjykatës së Lartë. Dvorani do të konfirmohet si pjesë e KED-së re, me mandat deri në fund të vitit 2020, brenda datës 10 dhjetor të këtij viti. Pika 3 e nenit 149/d të Kushtetutës së ndryshuar në vitin 2016, parashikon që Presidenti i përzgjedh me short anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, midis datave1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
Në rastin konkret, Ardian Dvorani është anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë, ku për rrjedhojë do zgjidhet automatikisht anëtar i KED. Por, pika 4 e këtij neni parashikon gjithashtu se “kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë”. Ndërkaq, po sipas Kushtetutës, nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Pra, nëse Meta refuzon ta ushtrojë këtë funksion, procesi do të kalojë në duart e Kuvendit. Sa i takon kompetencave, kryetari i KED përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit, përfaqëson Këshillin në marrëdhëniet me të tretët, harton dhe bën publik raportin vjetor mbi veprimtarinë e Këshillit, siguron dokumentimin e mbledhjes se këshillit dhe mbajtjen e dokumentacionit si dhe nënshkruan aktet e verifikimit të kandidatëve, vlerësimit dhe të renditjes dhe ia përcjell ato organit të emërtesës.
Ndërkaq, më e komplikuar është zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak se për një vend vakant në këtë gjykatë, janë emëruar dy anëtare, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Arta Vorpsi, e renditur e para me pikë nga KED, është zgjedhur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi Presidenti Meta nuk e ushtroi të drejtën për të emëruar një nga tre kandidatët e renditur në krye të listës. Por, disa ditë pas mbarimit të afatit ligjor, Meta dekretoi si anëtare të Kushtetueses Marsida Xhaferllarin, e renditur e katërta në listën që KED i dërgoi Presidentit. Mazhoranca dhe Kuvendi njohin zonjën Arta Vorpsi si anëtare të ligjshme, ndërsa Presidenti Meta, opozita dhe anëtarja Vitore Tusha njohin Marsida Xhaferllarin si anëtare të ligjshme. Mbetet për t’u parë se cila nga anëtaret do të përfshihet në shortin për t’u bërë anëtare e KED.