Shkarkimi i Vlora Hysenit nga posti i zëvendësdrejtores së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në vitin 2021 vazhdon të ngrejë pikëpyetje, pasi autoritetet kosovare nuk dhanë një arsye konkrete për vendimin. Tani që në Shqipëri ajo është pezulluar nga drejtimi i SHISH-it dhe është vendosur në arrest shtëpiak, këto pikëpyetje vetëm sa janë shtuar. Por, për ekspertin e sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, shkarkimi i Hysenit nga AKI nuk duhet ndërlidhur me akuzat ndaj saj në Shqipëri.
Gjatë një interviste me Nertil Agalliun në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Shala tha se ndryshimet në drejtimin e AKI-së kanë ndodhur pas ndryshimeve politike dhe qeveritare. Sipas tij, pozitat e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit përcaktohen me vendimmarrjen e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.



















