Arrestohen dy autorët e vrasjes së vëllezërve Bilali në Shkodër, në kërkim Ibrahim Lici /EMRAT - FOTOT

26 Prill 2019, 15:35

Rreth 1 muaj nga vrasja e dyfishtë e vëllezërve Bilali në qytetin e Shkodrës, Policia ka arrestuar dy nga autorët e ekzekutimit në derën e shtëpisë të Astrit dhe Brahim Bilalit, 59 dhe 61 vjeç, ngjarje e ndodhur më 30 mars 2019. Ndërkohë i dyshuari kryesor për vrasjen, është Ibrahim Lici, ende në kërkim.

Në një operacion policor të koduar "Livadhe", me emrin e lagjes ku u ekzekutuan me breshëri plumbash vëllezërit, u bë i mundur arrestimi i dy autorëve të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Arsen Stojku 29 vjeç dhe Milslim Rama 23 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë lëshuar më 25 prill. Të dy akuzohen për  vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur 26-vjeçari, Ibrahim Lici si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes. Një 29-vjeçar me inicialet D.B  është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë përkrahur autorin e krimit në arratisje.

Të katërt, rezulton se kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.