Arrestohen në gjumë në një vilë luksoze në Qerret vëllezërit e shumëkërkuar për grabitjet në Rinas (VIDEO-EKSKLUZIVE)

19 Mars 2020, 12:40 | Përditesimi i fundit: 2020-03-20 20:35:31

Pas tre vitesh arrati arrestohen në gjumë në një vilë luksoze me qira Klement dhe Eldi Çala, dy vëllezërit nga Elbasani të dyshuar si autorë dhe drejtues të grupit të grabitësve të blindave me para në Rinas në harkun kohor të 4 viteve.

ReportTv ka siguruar ekskluzivisht pamjet e mbërritjes së Klement dhe Eldi Calës në Policinë e Tiranës, ku dy vëllezërit futen me pranga në Policinë e Tiranës. Të vënë nën kujdesin e maskave dhe dorezave mbrojtëse nga situata me COVID-19, efektivët e policisë kanë qenë edhe të veshur me skafandër dhe anti-plumb. Informacionet e siguruar në rrugë operative nga Policia e Shtetit ishin se dy vëllezërit jetonin aty duke e kthyer edhe në një bazë të armatosur. Në ambientet e brendshme të vilës janë sekuestruar edhe armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme vlerash monetare të cilat dyshohet se i përkasin parave të grabitura ndër vite dhe përdoreshin nga Çalët për të jetuar në arrati. Në bazën e tyre në Qerret të Kavajës ku fshiheshin prej disa javësh janë sekuestruar armë dhe mbi 150 mijë euro. Po ashtu dy vëllezërve Çala i janë sekuestruar edhe dy motorë luksoz dhe të fuqishëm BMW si dhe dy automjete luksoze Audi veturë një me targa shqiptare dhe një me targa zvicerane. Më 23 korrik 2019 nga hetimi pasuror, Policia e Shtetit, asokohe me Krimet e Rënda sot prokuroria e posaçme SPAK, i sekuestruan vëllezërve Çala pasurinë me një vlerë rreth 500.000 Euro.

Klement Çala rezulton se ishte në kërkim si person i dyshuar për të gjitha grabitjet në aksin Tiranë-Kashar-Rinas, për të cilën më herët janë arrestuar 12 persona të tjerë, ndërsa Admir Murataj humbi jetën teksa në grabitjen e fundit më 9 prill 2019 tentonte të largohej. Në këtë grabitje shuma e marrë ishte 4.6 milion euro ndërsa në total në 6 grabitje shuma e marrë nga grupi ku bënte pjesë edhe Klement Çala arrin në mbi 45 milion euro, bënë me dije burime nga grupi hetimor për Report Tv.

Për këtë operacion ka reaguar edhe ministri i brendshëm Sandër Lleshaj i cili tha se laku i grupit të Rinasit është drejt fundit, duke paralajmëruar arrestime të tjera. Ndërkohë në kërkim vazhdojnë të mbeten Talo Çela dhe Aleks Pepa që po ashtu sipas hetuesve janë pjesë e të njëjtit grup.