Arrestohet Elvis Gaçaj, i 'forti' me BMW që i shpëtoi 3 atentateve

9 Tetor 2019, 14:00 | Përditesimi i fundit: 2019-10-09 16:37:13

Elvis Gaçaj pritet të jetë personi i parë, ndaj të cilit do të aplikohen ndryshimet e Kodit Penal, për armëmbajtje pa leje. 44 vjeç, një person me rrezikshmëri të lartë, gjatë kontrollit iu gjet një armë pa leje, dhe tani rrezikon 15 vite heqje liri ashtu siç parashikon Kodi i ri Penal, i cili hyri në fuqi ditën e djeshme. Gaçaj është një emër i njohur për drejtësinë për një sërë veprash penale. 

Në Prill të këtij viti ai u arrestua së bashku me Leonard Dukën në Tiranë, ndërsa armën e hodhën nga ballkoni i banesës sapo konstatuan policinë.

Elvis Gaçaj, ne 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek "Lulishte 1 Maji" në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos.  Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

Në atentatin tek Lulishte "1 Maji"  u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg.

Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.