ARRSH mbyll përfundimisht kryqëzimin e 'pushimit të shoferit' në aksin Lushnjë-Fier: Burim aksidentesh! Banorët kundër: Na zgjatet rruga me 30 km

22 Tetor 2021, 16:22 | Përditesimi i fundit: 2021-10-22 22:53:59

Kryqëzimi i autostradës Lushnje-Fier, në vendin e quajtur 'pushimi i shoferit', është mbyllur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ditën e sotme. Ky kryqëzim ka shërbyer si nyjë lidhëse nga autostradë në drejtim të qytetit të Divjakës si dhe nga autostrada në njësitë administrative Krutje, Allkaj, Bubullimë, Fiershegan e më tej për në Kuçovë e Berat, ndërsa pas bllokimit nuk ka as një rrugë alternative.

Në këtë mënyrë banorëve të zonës u duhet të kryejnë më shumë se 30 deri ne 40 km rrugë shtesë për të shkuar në destinacion nga rrethrrotullimi i Kolonjës. Banorë dhe fermerë të zonës kundërshtojnë këtë veprim, me argumentin se për ta zgjatja e rrugës është humbje kohe e po ashtu edhe financiare.