Atentati ndaj Arjan Ndoj, policia jep detajet e operacionit: 5 në burg, 4 në kërkim! Ja çfarë u zbulua nga kontrollet në 3 qytete

20 Janar 2023, 12:00

Finalizohet operacioni policor i koduar “Komploti”, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në vitin 2019.

Operacioni u zhvillua në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.  

Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut. 

Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 shtetas. Shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë. 

Sekuestrohen 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.  

Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.

Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të një ngjarjeje të rëndë kriminale, të ndodhur në datën 1 nëntor 2019, në Shkozet, Durrës, bazuar në provat e siguruara, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Komploti“.