Atentati ndaj Nikollaq Çepajt, autori qëlloi të paktën 15 plumba! Shoqërohen 10 persona

19 Janar 2020, 11:41

Detaje të reja kanë dalë nga skena e krimit në Vlorë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme  u qëllua me breshëri kallashnikovi ndaj Nikollaq Çepaj (Taullaraj) 36-vjeç, duke e lënë të plagosur rëndë  vetë atë dhe kunatin e tij Ronald Çepaj 27 vjeç. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ndaj dy të plagosurve janë qëlluar të paktën 15 plumba kallashnikovi, kjo vërtetohet edhe nga gëzhojat e gjetura në skenën e ngjarjes nga ekspertiza.

Deri më tani për këtë ngjarje të rëndë janë shoqëruar në polici 10 persona, dëshmitarë dhe të tjerë që mund të kenë lidhje me plagosjen e Nikollaq Çepajt dhe Ronald Çepaj.

Pista e parë ku po hetohet është hakmarrja, pasi Nikollaq Çepaj (Taullaraj) kishte vetëm tre ditë që kishte dalë nga burgu për një plagosje në vitin 2018. Nikollaq Çepajt, ka ndryshuar edhe mbiemrin, pasi më parë e ka pasur Taullaraj, por më pas mori të gruas. Në qershor të 2018 ai u arrestua për plagosjen e Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen 'Pavarësia'.

Ndërkohë për shkak të plagëve të shumta të marra në trup si pasojë e breshërisë së plumbave, Nikollaq Çepaj (Taullaraj) ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. Atë e kanë kapur pesë plumba, njëri në kokë dhe 4 të tjerët në shpinë dhe legen, ndërkohë kunati i tij Ronald Çepaj ka marrë dy plumba në të dyja këmbët dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. 

Për sa i përket autorit të kësaj ngjarje kriminale, sipas dëshmitarëve ishte i pamaskuar, me mjekër dhe kapele i cili pasi qëlloi mbi dy të plagosurit u largua me shpejtësi me një makinë tip 'Benz', që u gjet dy orë më vonë e djegur në aksin e vjetër Vlorë-Fier me kallashnikovin e shkrumbuar brenda.