Auditi i MASR dhe akuzat e Bordit të Administrimit: Si e ktheu Mynyr Koni Universitetin e Tiranës në ‘pronë private’

14 Dhjetor 2018, 17:13 | Përditesimi i fundit: 2018-12-14 17:16:06

Mbrëmë, gjatë takimit me rektorët dhe dekanët, kryeministri Edi Rama, pasi mori përgjegjësitë e qeverisë së tij për gjendjen ku ndodhet arsimi në vend dhe 8 kërkesat që kanë studentët që sot janë në ditën e 11-të të protestës, akuzoi edhe drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve për shkelje të rënda dhe abuzime financiare. Mes të akuzuarve ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni LEXO KËTU.

Koni nuk është i panjohur për ‘bëmat’ e tij, që u bë i njohur mediatikisht, pas një lajmi se ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi për të mos kandiduar për postin e rektorit të UT-së, post që do ta fitonte më vonë. Ai është një ndër drejtuesit që ka përfitime të shumta financiare, duke marrë 11 pagesa të ndryshme, brenda një muaji LEXO KËTU.  

Më 21 shkurt 2018 Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë urdhëroi nisjen e auditit në Universitetin Publik të Tiranës, që drejtohej nga Koni. Një grup prej 5 ekspertësh financiarë dhe juristë shkuan si përfaqësues të ministrisë në Universitet për të kryer verikime për procedurat e administrimit akademik dhe finnanciar të UT-së. Auditi erdhi pas skandalit të mungesës së fondeve për të paguar rrogat e pedagogëve, që shkaktoi një stuhi të madhe mediatike dhe akuza të stafeve akademike ndaj qeverisë se po linte pa bukë pedagogët.

Procesi i verifikimit që zgjati 10 ditë u pasua nga një raport përfundimtar prej 36 faqesh ku viheshin në pah gjetjet kryesore: shkeljet juridike dhe abuzimet e mëdha financiare nga rektori Mynyr Koni dhe të dekanëve të fakulteteve të Tiranës.

Audituesit Alqi Kushi, Mirela Bimo, Jeton Shehu, Iva Beliu dhe Bledar Biçoku konstatuan se në Universtetin e Tiranës kishte problematika të administrimit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes se praktikave shkresore, duke sjellë konfuzion në ushtrimin e funksioneve nga të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të këtij institucioni.

Sipas projekt-raportit që mban datën 30 mars 2018, dërguar rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nga Ministrja Lindita Nikolla, rezultoi se rektori kishte mosmarrëveshje pothuajse me të gjithë administratën, përfshirë drejtuesit e njësive kryesore, ish-kancelarin dhe administratorin e ri, siç konfirmohej nga procesverbalet e mbledhjeve të organeve kolegjiale, por dhe nga korrespondencat zyrtare midis autoriteve drejtuese akademike

Në raport rezultonte se kishte pretendime për procedurat e punësimit të personelit akademik, mbi kompetencat ndaj personelit administrativ, mbi pezullimin nga detyra të ish-Kancelarit të UT-së, Robert Skënderi, mbi varësinë e strukturave, midis Rektorit dhe Bordit te Administrimit apo Administratorit, në protokollimin e shkresave zyrtare të nxjerra nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe përdorimit të vulave nga organet drejtuese në Rektorat.

Ministria e Arsimit shprehej se rektori Koni mori nën kontroll fizik dhomën e serverit, por sipas akteve të brendshme të UT-së, bllokimi i sistemit informatik përbënte shkelje shumë të rëndë, pasi informacioni që përmban serveri është i rëndësisë së veçantë pasi në këtë sistem janë hedhur informacione të mbrojtura me ligj për studentët. Një nga pasojat e këtij veprimi sipas MASR është edhe se nuk janë hedhur notat e studentëve dhe nuk është bërë as publikimi i tyre. Koni kapërceu kompetencat, duke ushtruar funksionet e bordit të administrimit të UT dhe të administratorit. Auditi konstatoi ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoritetet drejtuese të UT në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare. Auditi konstatonte se rektori bënte prokurime për moblije, apo për ruatje fizike, në shuma të mëdha, duke bashkëpunuar edhe me dekanë, siç është rasti i Valentina Dukës, tashmë deputete e PD-së.

    No videos found.