Autorët e masakrës në Elbasan u ndihmuan nga një grup kriminal me influenc në zonë

2 Janar 2019, 13:13

3 ditë pas masakrës së Elbasanit, ku mbetën të vrarë 3 persona, Policia nuk ka asnjë të ndaluar si autor, por as ndonjë emër që dyshohet se organizoi atentatin. Endrit Alibeaj ishte objektiv i atentatit, por të vdekur mbetën edhe daja i tij Arben Dylgjeri si dhe një turk, Erdal Durunay. (SHIKO KËTU)

Autorët dyshohet se kanë qënë vrasës me pagesë dhe e kanë mirëmenduar mënyrën se si do arratiseshin pas vrasjes.

Burime nga Policia e Elbasanit thanë për Report TV se ka dyshime që dy automjete janë përdorur në këtë atentat. Makina e parë mendohet se ka ndjekur Endrit Alibejn gjatë ditëve që ai ka qënë në Shqipëri si dhe në datën 29 dhjetor, ditë ku u bë atentati.

Me makinën tjetër kanë lëvizur autorët që do bënin ekzekutimin që sipas të dhënave të Policisë kanë qënë 3. Në total 5 persona kanë marrë pjesë në këtë atentat, duke filluar që nga ndjekja, te vrasja dhe më pas largimi i autorëve.

Por ndryshe nga vrasjet e tjera mënyra e arratisjes së autorëve duket e mirëorganizuar. Ata nuk dogjën makinën me të cilën bënë atentatin por dyshohet se pikërisht me atë automjet janë larguar dhe e kanë fshehur në rrethinat e Elbasanit. As armët me të cilën u kryen vrasjen nuk janë gjetur, çka tregon se autorët kishin planin e arratisjes pa u pikasur nga Policia.