E quan një dështim marrëveshjen politike me kryeministrin Edi Rama në maj të 2017-ës. Lideri demokrat Lulzim Basha thotë se nuk do të ketë një dialog të dytë me kreun e qeverisë. Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve, lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama mbrëmë në emisionin "Porta a Porta" me gazetarin Bruno Vespa, që e quajti liderin opozitar "miku im", Basha tha:
"Dialogu mes meje dhe Ramës provoi të ishte i dëmshëm për interesat e vendit, u keqpërdor nga Rama, tashmë është bashkëpunëtor i krimit të organizuar. As komentet e njeriut shkaktarit të krizës, nuk kam ndërmend t'i bëj pjesë të këtij komunikimi sot, populli ka folur, ka folur dhe dje, do flasë në çdo protestë, dhe më 16 mars Edi Rama bën mirë ta dëgjojë zërin e popullit, dhe t'i hapë rrugës zgjidhjes politike, t'i hapë rrugën drejtësisë, për dosjet 339, 184. Kur pushtetet janë të kapura zgjidhja mbetet në dorë të popullit. Nuk ka asnjë hap pas. Lufta kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë hap pas. I kemi borxh Shqipërisë ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa".
Deklaratat Basha i bëri pas një takimi që pati me zëvendësambasadoren amerikane në Tiranë, e cila mbërriti në zyrën e Bashës në selinë blu një ditë pas protestës së opozitës tek Parlamenti.