Basha refuzoi ofertën e Ramës, SHBA: Uuni në dialog me qeverinë për 'zgjedhoren'

19 Shtator 2019, 11:24 | Përditesimi i fundit: 2019-09-19 11:25:00

Pas refuzimit që Lulzim Basha i bëri ofertës së kryeministrit Edi Rama për t'u ulur në dialog për miratimin e reformës zgjedhore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një ultimatum të qartë liderit demokrat.  Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor i kërkon opozitës shqiptare, jo parlamentare që të ulet në dialog me qeverinë për të miratuar reformën e re zgjedhore. Zyrtari i lartë amerikan u shpreh se SHBA nuk zgjedh fitues dhe humbës në lojën politike, prandaj kërkon dialog që zgjedhjet e reja të zhvillohen mbi bazën e reformës së re zgjedhore.

"Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike.

Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë.

Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme" tha ai.

Mathew Palmer ka shpjeguar edhe misionin e tij në rolin e ri në pozicionin e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor. "Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian" theksoi ai.

    No videos found.