Basha shmang përgjigjet për Dick Marty, Rama: Sjellje mizerabël! Ke hetuar vendmbajtjet e robërve

9 Nëntor 2020, 14:57

Kreu demokrat Lulzim Basha edhe këtë mëngjes ka vendosur që tu shmanget pyetjeve të kryeministrit Edi Rama për raportin e Dick Marty, duke zgjedhur ta sulmojë atë me situatën e Covid.

Sipas Bashës spitalet e Covid janë në kolaps dhe Rama sipas tij nuk ka asnjë plan për ta marrë situatën në dorë. Por përgjigjia e kryeministrit Edi Rama, ka qenë e ashpër pasi ky i fundit e ka quajtur përpjekje të ulët të Bashës për ta bërë Covidin pjesë të frontit opozitar. Teksa ka cituar Human Right, Rama thotë se Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë.

"Dje kishim mbi 500 raste të reja të raportuara të koronavirusit në Shqipëri, numri rekord më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Çfarë bën Rama? Asgjë! Ai nuk ka asnjë plan. Spitalet janë në kolaps, të sëmurët dergjen në ambulanca.

Rama ju merr shqiptarëve lekët e taksave, dhe në vend që ti investojë në shëndetësi, jua jep miqve të vet. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Ai duhet të largohet. Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet, do ta ngremë ekonominë dhe do të sigurojmë ndihmë për çdo familje", shkruan Basha.