Basha: Shtyrja e zgjedhjeve s'cenon Kushtetutën! Pazar me Edi Ramën, kurrë më

21 Maj 2019, 19:54

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bërë publike një kërkesë që deri më tani nuk e kishte artikuluar në daljet e më hershme publike: shtyrjen e zgjedhjeve. Nga qyteti i Beratit, kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se shtyrja e zgjedhjeve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, ndryshe nga sa ka deklaruar kryeministri Edi Rama. Ai ka risjellë në vëmendjen precedentin e 2007, kur Rama ishte në opozitë, sipas së cilit, është një tregues se nuk është kundër Kushtetutës që zgjedhjet të shtyhen.

Përpara demokratëve, Basha ka bërë premtimet e tij, ndonëse është kujdesur të theksojë se kjo nuk është fushatë elektorale. Duke e cilësuar 30 qershorin si një tentativë për grusht shtetit, kryedemokrati ka ripërsëritur deklaratat e tij, se nuk do të lejojë që të zhvillohet një proces votimi fals.

"Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershori, me krimin, me hajdutët. Pas vizitës sime në perëndim, do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit. Do shkojmë deri në fund të betejës sonë, për Shqipërinë si gjithë Europa. Në këtë betejë jemi bashkuar si kurrë më parë. Balli i betejës, i takon opozitës, demokratëve, por kurrë më parë nuk kam parë kaq shumë. Grusht i shtetit më 30 qershor, grusht i shtetit do të ndalet me çdo kusht. Do të mbrojmë lirinë dhe demokracinë. Çeta e tyre e shpartalluar ka humbur qetësinë dhe e ka mbërthyer paniku. 30 qershori nuk mund të jetë ditë zgjedhjesh. Tentativë për grusht shtetit. Dy herë i shtyu zgjedhjet në 2007, ky që tani thotë nuk më lejon Kushtetuta", shprehet Basha.

I ftuar në "5 Babaramo", aleati i Bashës, Dashamir Shehi u shpreh se opozita mund të hyjë në zgjedhje, vetëm me një marrëveshje politike. Më herët dhe deputetët e opozitës së re kanë ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme, por nga Berati, Basha ka deklaruar se nuk do të bëjë "kurrë pazar" me Ramën.

    No videos found.