TIRANË- Takimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në rrethe në kuadër të "Rrugëtimit për Shqipërinë", nuk janë thjesht biseda me qytetarët, por një parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme. Në studion e Report Tv, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka tha se opozita është në fushatë zgjedhore, ku po shpalosë platformën e saj, me argumentin se kjo është një kërkesë e ndërkombëtare, edhe pse këta të fundit nuk kanë dalë publikisht me një qëndrim të tillë.
Nga ana tjetër, Ndoka shtoi se edhe kreu i qeverisë, Edi Rama është në dijeni të kësaj kërkesë, sipas Ndokës të ndërkombëtarëve, dhe se shumë shpejt do të zhvillohen, thjesht kryeministri po fiton kohë dhe terren.
Takimet e Lulzim Bashës ndryshojnë nga metoda e përdorur deri më tani nga opozita. Basha po shpalos alternativën e opozitës. Jemi në fushatë elektorale për t'u përgatitur për zgjedhje të parakohsshme, që shumë shpejt do të ndodhin. Kjo ka qenë një kërkesë e ndërkombëtarëve. Edhe Rama e ka të qartë, por thjesht po përpiqet që të fitojë kohë dhe terren", u shpreh Ndoka në Report Tv.
Duke u ndalur tek aksioni opozitar, Ndoka zbuloi se protestat do të vijojnë, si një mënyrë për të larguar kryeministrin Edi Rama, por paralajmëroi që ato do të jenë për të ashpra dhe më të dhunshme, pasi sipas Ndokës "rruga europiane" nuk ka ndikuar te shefi i ekzekutivit.
"E vetmja mënyrë është protesta, por Rama e ka treguar se nuk ndikohet nga sjellja europiane dhe do një formë tjetër. Drejt asaj po shkohet. Po i vjen dita", tha kreu i PDK-së.
Sa i përket, një tjetër çështje të rëndësishme të javëve të fundit, siç është ajo e Reformës Zgjedhore, përballë gazetarit Besart Jacaj, Ndoka tha se pjesëmarja e opozitës në këtë Komision është e panevojshme, me argumentin se deputetët e rinj nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit dhe as nuk janë pjesë e një force politike.