'Bejruti qytet fantazmë'! Shkak shpërthimi i djeshëm i mbi 2 mijë ton nitrat amoniumi

5 Gusht 2020, 08:59 | Përditesimi i fundit: 2020-08-05 11:32:15

LIBAN- Koronavirusi është problemi më i vogël! Njerëzit kanë dalë të gjithë në rrugë, shtëpia nuk është më e sigurt...spitalet janë të mbushura plot, nën rrënojat e ndërtesave ka trupa të pajetë si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e së martës në Bejrut.

Libani është në zi! Deri më tani janë konfirmuar 78 viktima dhe 4000 të plagosur, teksa bilanci pritet të rritet. I gjithë qyteti u trondit nga një shpërthim i fuqishëm, që shumëkush e mendoi se ishte një tërmet, por më pas një re e madhe tymi në formën e një kërpudhe pushtoi të gjithë vendin! Presidenti i vendit, Michel Aoun tha se shkak është bërë shpërthimi i 2 ,750 ton nitrat amoniumi që ishin ruajtur në një mënyrë të pasigurt në një depo për plot gjashtë vite me radhë! Kjo sasi ishte shkarkuar nga një anije në port në vitin 2013 dhe më pas ishte ruajtur në një depo. Fillimisht u raportua se ishte një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh, por më pas u mësua se bëhej fjalë për një krim njerëzor, për të cilët autoritet kanë paralajmëruar se fajtorët do të mbajnë përgjegjësi.