Belinda Balluku: Ndërpritet partneriteti publik-privat për aksin Thumanë-Kashar, fondi do të kalojë për 'Paktin për Universitetin'

21 Janar 2019, 14:09 | Përditesimi i fundit: 2019-01-21 17:03:36

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar në një konferencë të shkurtër për mediat se qeveria do të tërhiqet nga partneriteti publik privat për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar, nje projekt prej 225 milion euro. Ajo është shprehur me tej se fondi i përcaktuar për këtë aks do të vendoset në funksion të "Paktit për Universitetin". 

"Ky është komunikimi im  i parë zyrtar. Uroj që të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Kam vendosur të bëj ndërprerjen e partneritetit publik privat  të aksit Thumanë-Kashar. Buxhetin e saj do t’ia dedikojmë "Paktit për Universitetin". Për ne ky aks vazhdon të jetë i rëndësishëm”, u shpreh ajo.

E pyetur për arsyet e kësaj vendimmarrjeje, Balluku deklaroi se momentalisht rëndësi më të madhe për qeverinë ka pikërisht gjendja e universiteteve në vend dhe arsimi i lartë.