Gjirokastra ishte qyteti i radhës që priti ‘Foltoren’ e Sali Berishës, i cili ripërsëriti edhe një herë të gjitha akuzat dhe arsyet që sipas tij duhet të mblidhet Kuvendi i PD dhe të shkarkohet Lulzim Basha, personin që e solli vetë dhe vendosi në krye të partisë që themeloi në 1990.
Ajo që u vu re në Gjirokastër ishte se Berisha e mbushi “Foltoren” e tij me ish-ministra dhe ish-drejtorë të kohës që ishte në pushtet 2005-2013, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetarët e degës së PD. Ashtu siç pritej deputeti demokrat Tritan Shehu ishte i pranishëm së bashku me Bujar Nishanin, ndërsa iu bashkuan edhe kreu i degës Dasho Aliko, ish ministri i PD, Spiro Ksera. Të tjerë të pranishëm ishin Ismail Sadiku ish kryetar i PD Tepelene, Sevo Mici ish kryetra i Bashkisë Tepelene, Niko Shupuli ish kryetar i Bashkisë Përmet, Bexhet Çobani ish kryetar i Bashkisë Libohove, Altin Çomo ish kreu i PD Gjirokastër, Adil Xhelili kryetar i PD Libohove, Ladi Bana kreu i PD Tepelenë, Esmerald Xhemali kreu i PD Memaliaj, Luan Malko kreu i PD Këlcyrë dhe Elton Hysenshahaj kreu i PD Përmet.










