Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha 'non grata' duhet të shërbejë si shembull për të gjithë ata që duan të pengojnë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla nuk preferoi të komentonte shumë, duke thënë se vendimi i DASH "është aq i bukur sa nuk ka nevojë t'i bëjmë komente". Ai i bëri thirrje drejtësisë që të bëjë punën e vet tashmë, pa asnjë ndërhyrje politike.
"Çdo politikan që është munduar ta pengojë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, besoj se rasti i djeshëm i ish-kryeministrit Sali Berisha është një shembull për t'u marrë në konsideratë. Atë vendim të sekretarit të SHBA le ta lëmë aq të bukur saç është dhe të mos hymë në asnjë lloj komenti dhe secili ta lexojë siç është vendimi dhe unë mendoj që ne duhet të kuptojmë që SHBA kanë zgjedhur këto lloj instrumentesh për t'i dhënë mesazhe vendeve përkatëse, demokracive përkatëse. Nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, edhe në Rumani kryeparlamentari i Rumanisë u bë pjesë e kësaj liste të zezë të SHBA. Drejtësia duhet të bëjë detyrën e vet sepse janë çështje që i takojnë drejtësisë dhe shpresoj që të bëjë punën e vet pa asnjë ndërhyrje politike, në paanshmërinë e vet", tha ai.
Balla tha me bindje se Reforma në Drejtësi do të shkojë përpara dhe se partitë politike duhet ta kuptojnë se kjo është e vetmja rrugë për anëtarësimin e vendit në BE.




