Berisha: Tani që aeroporti i Vlorës po i afrohet fundit, janë prishur pazaret! Pista jashtë çdo standardi, inxhinieri supervizues është arratisur

20 Tetor 2025, 14:56 | Përditesimi: 20 Tetor 2025, 14:56

Sali Berisha ka komentuar lajmet që kanë qarkulluar mbi aeroportin e Vlorës dhe përplasjen e Behgjet Pacollit me ortakun e 2A Group, Valon Ademi. Në konferencën për mediat, Berisha tha se tani që aeroportit po i afrohet fundi, janë prishur pazaret.

Madje, Berisha pretendon se inxhinieri supervizues i pistës është arratisur në Britaninë e Madhe. Sipas tij, asfalti dhe pista janë jashtë çdo lloj standardi.

“Tani që aeroporti po i afrohet fundit, janë prishur pazaret. Tani, si do i ndajmë? Dhe tani ka shpërthyer aty një grindje e brendshme. Po mua nuk më intereson grindja e brendshme, kategorikisht. Po më intereson një gjë tjetër shumë që është jashtëzakonisht e rëndë. Inxhinieri supervizues i pistës ia ka mbathur, është arratisur në Britaninë e Madhe. Dhe burime serioze më thonë mua që asfalti dhe pista janë jashtë të gjitha standardeve, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndaj dhe supervizori është arratisur në Londër. Njeriu që ka përgjegjësi për çdo centimetër katrorë të cilësisë në atë pistë”, tha Berisha.

r.k./Shqiptarja.com