Berlini tha 'PO' për vizat, Franca 'JO'/ Haradinaj i zhgënjyer nga Macron, përpiqet ta shmangë

30 Prill 2019, 15:03 | Përditesimi i fundit: 2019-04-30 17:16:23

Samiti i Berlinit rezultoi zhgënjyes për Kosovën, pasi Franca këmbënguli për të mos liberalizuar regjimin e vizave. Sipas burimeve të DW nga pjesëmarrës në takim, presidenti Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i emigrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende.

Nisur nga fushata elektorale aktuale për zgjedhjet e parlamentit evropian, Macron kishte argumentuar se nëse ai do të hiqte vizat edhe për Kosovën, kjo do të ishte në favor të partisë djathtiste të Frontit Nacional. Një qëndrim i tillë zhgënjeu liderët e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj. Një gjë e tillë u duk qartë edhe në fund të samitit ku Presidenti francez u tregua i përzemërt me Haradinajn duke i shtrënguar dorën, por kreu i ekzekutivit të Kosovës tenton që ta shmangë.

Parisi duket se është pengesa e fundit për Kosovën, pasi ashtu sikur thotë edhe Haradinaj ka marrë 'PO'-në e Gjermanisë, por jo të Francës. "Pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm “Po”-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave. Faleminderit Kancelares Merkel dhe shtetit Gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës" shkruan ai në Facebook.