Bilanci/ Vettingu mbyll vitin e tretë, në sitë më pak se gjysma! Rikthehet në shtator

10 Gusht 2020, 15:14

TIRANË- Vettingu mbyll sesionin e tij me shkarkimin e gjyqtarit Aleks Nikolli i cili gjatë procesit të rikontrollit rezultoi me probleme pasurie. Seanca e fundit në Vetting për këtë sesion u mbajt paraditen e kësaj të hëne, ndërsa Vetting-u pritet të rikthehet më 4 shtator me seancën ndaj gjyqtarit Artan Gaxha.

Nikolli rezulton se gjatë karrierës së tij ishte edhe pjesë e trupës gjykuese e cila me tre vota pro dhe dy kundër i pranoi Dritan Dajtit kërkesën për heqjen e burgimit të përjetshëm.

Vetting-u nisi në vitin 2017 për të kontrolluar me një mandat pesë vjeçar të shkallës së parë KPK dhe 9 vite të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rreth 800 gjyqtarë e prokurorë. Por në vitin e tretë në sitë kanë kaluar 290 subjekte, mesatarisht 100 për çdo vit, as gjysma e subjekteve të cilat pritet të rikontrollohen si pasojë e procesit të rivlerësimit.

Nga 282 subjekte për të cilat KPK ka hapur hetim, 257 prej tyre tashmë kanë një vendim. 105 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar, dy janë pezulluar për një vit me kushtin që të rindjekin shkollën e magjistraturës ndërsa 117 prej tyre janë konfirmuar në detyrë, 17 përfundim procesi pa vendim marrje. Ndërsa për 35 subjekte KPK ka pranuar me vendim dorëheqjen e tyre pa të drejtë rikthimi në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme dhe 8 dorëheqje përpara hyrjes në fuqi të ligjit të Vetting-ut.