Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot shqetësimin për përgatitjen e dobët të bizneseve shqiptare për integrimin në Bashkimin Europian, pikërisht në momentin kur qeveria po hyn në një tjetër fazë të negociatave pas kalimit të IBAR-it. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thotë se integrimi nuk mund të mbetet vetëm te miratimi i ligjeve në letër, ndërsa bizneset shqiptare nuk janë gati të përballojnë standardet dhe kostot që kërkon tregu europian.
Sipas saj, vetë shoqatat e biznesit pranojnë se vetëm 15% e bizneseve shqiptare, kryesisht ato prodhuese, janë realisht të përgatitura për procesin e integrimit. Pjesa tjetër, sipas Tabakut, rrezikon të mbetet jashtë garës për shkak të kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes.


















