Biznesmeni në kërkim për 137 kg kokainë! Babai avokat: Djalin do e dorëzoj kur të dalë e vërteta

24 Tetor 2019, 13:20 | Përditesimi i fundit: 2019-10-24 17:28:21

TIRANE-Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg në mungesë për biznesmenin Gentian Malindi i akuzuar për sasinë prej 137 kg kokainë që u nis nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë. Avokati, që është edhe babai i tij, Ilir Malindi pas përfundimit të seancës në një prononcim për mediat lëshoi akuza të forta për sistemin e drejtësisë dhe qeverinë, ndërsa deklaroi se pasi të dalë e vërteta, që djali i tij nuk është i përfshirë, atëherë do të bëjë dorëzimin e tij.

Ai tha se procesverbali i deklarimeve të Ardian Begës, që është njëri nga dy të arrestuarit është falsifikuar, pasi sipas Malindit, pavarësisht se është marrë në pyetje në të njëjtën orë dhe datë nga prokurori dhe OPGj-ja në prani të avokatëve, dëshmitë që janë zbardhur kanë qenë të ndryshme. I pyetur për faktin që djali tij, sipas deklarimeve të të arrestuarve i mori me makinë pasi morën çantën nga kontenieri, ai tha se "Historia është, që Alket Muslymaka cdo ditë mbledh hekura, doli gjeti një çantë dhe i grumbulloi, iu lut tim biri ti marrin, shkoi edhe Bega për të marrë thesin me hekura" tha ai.  

Më 19 gusht 2019 kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare. Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit. Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës prekën tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.