137 kg kokainë në 4 kontenierët nga Ekuadori/ Pranga 2 pritësve në Durrës, si dolën pakot nga porti, DEA zëvendësoi drogën me oriz me GPS (FOTOT)

TIRANË - Katër kontenierë me banane të nisur nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë, kanë qëndruar të bllokuar në portin e Durrësit prej muajit gusht 2019, pas konstatimit nga DEA amerikane në Portin e Pireut në Greqi, se brenda në kontenierë kishte kokainë. Për të zbuluar grupin kriminal, në portin e Pireut në Greqi ku kontenierët kaluan tranzit, autoritetet greke në koordinim me ato shqiptare, zëvendësuan 317 kilogramët e kokainës me pako me oriz. Në operacionin e koduar "Kuito", u la vetëm 1 pako me kokainë që të fuste në kurth trafikantët dhe më tej anija me kontenierë u la të shkojë në portin e Durrësit.

Aty, ranë në pranga dy pritësit, Ardian Bega 53 vjeç dhe Altin Mislihaka, 35 vjeç nga Durres, njëri punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i tretë, businemen nga Durrësi, Gentian Malindi, 43 vjec, i cili i ka pritur dy të arrestuarit jashtë portit, me një automjet me targa të huaja.

Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtiimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013). I arrestuari Mislihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, "Eniwej", dhe kishte leje dhe akses për tu futur në portin e Durrësit. 

Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se hetimet vijojnë për të zbuluar përfshirjen e personave të tjerë në këtë rrjet kriminal, pasi ende nuk është mësuar se kush qëndron në krye të trafikut. Por pyetjes së ReportTv se cili ishte destinacioni i 137 kg kokainë, kryepolici Veliu nuk i dha përgjgije.

Sinjali nga DEA: Në kontenierë ka drogë! Kurthi i policisë: Oriz me GPS në vend të kokainës

Autoritetet e shtetit fqinj dhe DEA amerikane, i dërguan informacionet policisë shqiptare, duke i kërkuar të mbikëqyrin kontenierët me banane pasi brenda tyre ishte kapur kokainë dhe ishte zëvendësuar me oriz me GPS. Ndalesa tranzit e 4 kontenierëve të nisur nga Ekuadori për Shqipëri, ishte Pireu, aty ku autoritetet greke në koordinim me policinë shqiptare, bënë dorëzimin e kontrolluar të kontenierëve. Por për të rënë në gjurmët e trafikantëve, policia zëvendësoi kokainën me orizë në të cilën vendosën GPS për të qenë në ndjekje të lokacionit të personave që mund të merrnin lëndën narkotike, pa e ditur që ajo ishte zëvendësuar me oriz. Ky kurth i policisë u ndoq për të mos humbur gjurmët e trafikantëve ndërsa në kontenier u la 1 kilogramë me kokainë për të mos u vënë re nga trafikantët.

Hetimet prej muajit gusht, punonjësit e sigurisë u kapën me "presh në duar"

Të vetmit që u paraqitën në Portin e Durrësit, më 19 shtator, ishin dy personat tashmë të arrestuar, njëri punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit, Ardian Bega. Duke shfrytëzuar këtë fakt, ata kanë hyrë lehtësisht tek kontenierët duke përdorur bexhin e punës, dhe siç tha drejtori i Policisë, Ardi Veliu në konferencë, kanë marrë një sasi lënde narkotike nga kontenieri dhe e kanë transportuar me një automjet me targa franceze, duke e çuar në një zonë që ata kanë menduar të sigurt. Por policia i ka pasur në mbikëqyrje përmes GPS, dhe ka bërë të mundur arrestimin e tyre në flagrancë. Ka mundur të shpëtojë pasi ka pikasur orizin në pakot me kokainë dhe e ka hedhur nga makina tek "Shkëmbi i Kavajës".

"Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit. Të gjitha veprimet e kryera nga ta ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal", tha Veliu.

Ardian Bega 53 vjeç dhe Altin Mislihaka, 35 vjeç, u arrestuan dhe sot u lanë në masë arresti me burg nga Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim nga policia, Gentian Malindi. Duke përdorur bexhin si punonjës të portit, ata janë afruar pranë kontenierëve çka solli dhe arrestimin e tyre. Ata kishin rolin e pritësit të drogës, siç u tha zyrtarisht nga policia, por nuk dihet ende se cila është kompania që kishte porositur bananet në Shqipëri

Sinjalet nga DEA amerikane, takimet me autoritetet greke dhe operacioni në Shqipëri

"Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar "KUITO" - tha Ardi Veliu - Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.  Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s. Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.

Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit,  të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj. Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës", tha Ardi Veliu. I pyetur nga gazetari i Report TV Arsen Rusta nese kokaina ishte e destinuar per tregun shqiptar apo ate te BE-se, Drejtori i Policise se Shtetit tha se "hetimi vazhdon", duke e mbyllur deklaraten para gazetareve me kete pergjigje te shkurter.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria per Krime te Renda ne Konference per Mediat

Qindra konteniere me banane nga Ekuadori, 500 kg kokaine ne Greqi

Nga Ekuadori ishin nisur një numër i madh kontenierësh me banane, në një anije. Rreth 100 kontenierë ishin me destinacion final Pireun, disa të tjerë vendet e BE-së, dhe 4 me destinacion Shqipërinë. Autoritetet greke kontrolluan kontenierët me destinacion Pireun, ku gjetën rreth 500 kilogramë kokainë duke zbërthyer një grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë për 4 kontenierët që do vinin në Shqipëri, kërkuan bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare, duke lejuar kalimin e tyre nga porti i Pireut, për tu zbuluar në Portin e Durrësit, nëse mund të gjendeshin edhe bashkëpunëtorët e grupit të strukturuar kriminal.

Historia e përsëritur e kokainës në kontenierët me banane

Kokaina e fshehur në kontenierë me banane është një histori e përsëritur, pas sasisë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në Shqipëri: 613 kilogramë kokainë në kontenierët e kompanisë "Arbi Garden" në mars të vitit 2018 në Portin e Durrësit. Pronari i kontenierëve, Arbër Çekaj, është ekstraduar së fundi nga Gjermania, dhe do të përballet me akuzat e trafikut të drogës. Edhe në atë operacion, policia e evidentoi kokainën në kontenierët në Portin e Durrësit, por e la të shkonte në magazinat në Maminas për të kapur në flagrancë anëtarët e grupit kriminal. Hetimi për 137 kg kokainë të nisura nga Ekuadori po ndiqen nga Ervin Kondili i njëjti hetues i 613 kg të zbuluara më herët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Zbulohet firma që kishte porositur bananet nga Ekuadori ku u gjet 137 kg kokainë

Report Tv zbulon firmën që kishte porositur kontenierët me banane nga Ekuadori, brenda së cilave u gjetën dhe u sekuestruan 137 kg kokainë. Firma që kishte porositur bananet është “Alba Exotic Fruit”, me administrator Eduart Dautin. Dauti është pronari i banesës te Shkëmbi i Kavajës, ku do të magazinohej kokaina, që u mor në kontenier dhe që sipas policisë ishte baza e grupit.  

Ora 16:42
Report Tv nxjerr fotot ekskluzive, si doli kokaina me çantë nga porti i Durrësit

Momenti kur Altin Mislihaka drejtohet te kontenieri

Report Tv siguron fotot ekskluzive të momentit kur dy të arrestuarit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka nxorën pakot që besonin se ishin me kokainë nga kontenieri në portin e Durrësit. Në fotot që ka siguruar dhe publikon Report Tv duken dy personat, kur i drejtohen kontenierit dhe me çantën në krah me pakot. Pas mbërritjes së kontenierit të vetmit që u paraqitën në Portin e Durrësit, më 19 shtator, ishin dy personat tashmë të arrestuar, njëri punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka. Por policia i ka pasur në mbikëqyrje përmes GPS, dhe ka bërë të mundur arrestimin e tyre në flagrancë, pasi i futi në kurth duke zëvendësuar kokainën me oriz.

Altin Mislihaka me çantën me pakot në krah duke dale nga porti
Ora 14:43
FOTO/ Kjo është pakoja me oriz e cila ishte pajisur me GPS! Trafikantët e pikasën gjatë rrugës, e hodhën tek Shkëmbi i Kavajës

Report Tv siguron foton e pakos me oriz dhe miell e cila u vendos me GPS nga policia shqiptare në vend të kokainës në kontenierët e ndaluar në Portin e  Durrësit. Pako është marrë nga tre Ardian Bega Altin Mislihaka dhe Gentian Malindi. Në momentin kur kanë konstatuar se pakoja kishte oriz e kanë hedhur tek Shkëmbi i Kavajës.

Ora 14:14
Operacioni 'Kuito'/ Lleshaj: Krimi i organizuar mori sot një goditje domethënëse

Për super aksionin e policisë shqiptare në koordinim me autoritetet greke dhe DEA-n amerikane, reagoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshajj, përmes një postimi në Twitter

“KUITO” një tjetër provë e pjekurisë profesionale dhe e angazhimit serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, i cili ka marrë sot një goditje domethënëse.
Përgëzime për PSH dhe falënderime për partnerët tanë. E gjitha vazhdon…
”. shkruan Lleshaj.

Ora 13:45
FOTOT - Ku ishte fshehur kokaina brenda kontenierëve me banane

1569584906_kontenieri1.jpg

Përmes këtyre fotove të siguruara nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta, tregohet vendi se ku ishin fshehur pakot me kokainë në 4 kontenierë të ardhur me banane nga Ekuadori.

Ato ishin të vendosura në derën e kontenierit frigoriferik dhe ishin të kamufluara në hapësirat e brendshme të mbuluara me një pllakë metalike me vida.

Ora 12:37
Kush është porositësi i kokainës në Durrës që po kërkohet nga Policia?! Si e kuptoi se ishin futur në kurth (FOTO)

Gentian Malindi, 45 vjeç, është personi në kërkim nga policia për 137 kilogramët e kokainës të kapura në kontenierë me banane në Portin e Durrësit. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, raporton se ai ka qenë me dy të arrestuarit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, por i ka shpëtuar policisë pasi ka kuptuar se në pakot me kokainë mund të kishte GPS. Oficeri i sigurisë ka hyrë Portin e Durrësit, Ardian Bega duke shkuar deri në kontenierët ku ka marrë disa pako me kokainë me porosi të Gentian Malindit. I shoqëruar edhe nga Altin Mislihaka, punëtor në anijen e peshkimit të Malindit, ata kanë dalë nga porti me disa pako me drogë, më tej i kanë transportuar në një automjet me targa franceze ku ka qenë edhe Gentian Malindi, pronar i një anije peshkimi, “Eniwej” dhe biznesmen i tregtimit të produkteve të detit. Por ky i fundit kur ka parë se paketimi ishte ndryshe nga çfarë ishte kërkuar, ka kuptuar se po ndiqeshin nga policia, dhe ka mundur të arratiset. Në pranga përfunduan vetëm dy personat që morën drogën nga kontenierët.

Sipas dëshmisë së dhënë nga një prej të arrestuarve, Ardian Begës, ata kanë hyrë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe kanë mundur të marrin disa nga pakot me drogë me porosi të Gentian Malindit. Rruga e tyre ka vijuar drejt Shkëmbit të Kavajës, kur gjatë ecjes kanë kuptuar se diçka nuk shkonte. Ishte pikërisht Gentian Malindi që kuptoi se në pakot e kokainës kishte edhe oriz. Sipas dëshmisë dhënë para oficerëve të Ardian Begës, Malindi u ka kërkuar të mos flasin pasi në automjet mund të kishte çip, ndërsa ka hedhur nga makina pakot e drogës në autostradë pranë një hoteli.

Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë. Në qershor të vitit 2013, Malindi është arrestuar pasi në një furgon mallrash u gjet nga policia 500 kilogramë kanabis, në një operacion të koduar "Sfida".  Por arrestimi i Gentian Malindit, u vlerësua i paligjshëm nga Gjykata e Durrësit, duke e liruar atë, dhe duke lënë në burg vetëm Ervis Bardhin nga Elbasani. Në seancat gjyqësore posedimin e lëndës narkotike e ka marrë përsipër Bardhi, duke rrëzuar akuzat ndaj Malindit. Çështja në atë kohë i kaloi për kompetencë Gjykatës së Kavajës. Malindi dhe Bardhi u arrestuan në zonën e plazhit në kufirin që ndan rrethet e Durrësit dhe Kavajës. Operacioni policor "Sfida" u deklarua se finalizoi me sukses hetimin disamujor të strukturës antidrogë në policinë e Durrësit, duke çuar në sekuestrimin e një furgoni mallrash tip “Mercedes Benz” me targa AA 938 AE, me 500 kg drogë. Droga vinte nga Lazarati dhe dyshohet se një pjesë e saj do të qëndronte për shpërndarje në tregun e brendshëm.

Në vitin 2015, ai ka akuzuar Policinë Kufitare se bënin kontrolle të vazhdueshme në anijen e tij për drogë.  “Policia e Kufirit po ushtron kontrolle të vazhdueshme të përsëritura e pa arsye konkrete. Kontrollojnë për drogë në anijen time. Vijnë 20 punonjës policie dhe po më persekutojnë. Nuk jam kundër kontrollit, por jo atij me kosto ekonomike në xhepin tim!”, shrehej ai për mediat.

Sot ai kërkohet nga autoritet policore si porositës i një sasie të konsiderueshme kokaine, 137 kilogramë.

1569580660_gentianmalindi1001.jpg

Gentian Malindi

Ilir Malindi

Gentian Malindi është djali i avokatit të njohur, Ilir Malindi. Babai i tij në një reagim ka mohuar përfshirjen e tij duke thënë se i biri nuk ka lidhje me drogën por kërkohet vetëm se dikush i ka përmendur emrin.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tralala: 28/09/2019 09:40

    Cfar rendesie ka kush zbuloi drogen..?? E rendesishme eshte keta qe merren me tregeti drogo te ketyre permasave duhet ti ekzekutoj policia , pasi do shfarrosnin rinin tone ne menyr katastrofe..policia nuk duhet ta arrestoj keta tipa por duhet ti ekzekutoj keta terrorrista.. zagaret..!

    Përgjigju
  • Mali: 28/09/2019 06:46

    Mirmengjes zotrinj konentator po cfare keni bere? Lexoni ndonje emer aty ketu dhe beni komente??? Drogen e kapi DEA me greket, per keta tanet e kishin kaluar shitur dhe harruar kete pune.

    Përgjigju
  • CGentian: 27/09/2019 21:39

    Operatori i terminalit të kontejnerit? i famshëm KURUM, një aktivitet informal 50% në Elbasan për 20 vjet; A ka më shumë nevojë për të hyrë në detaje?

    Përgjigju
  • leonidhja: 27/09/2019 21:23

    hahahahaha po keta pse dalin konferenc per mediat, ca ben keta???

    Përgjigju
  • Mavro Mafia: 27/09/2019 16:19

    Hahahahah o Lleshaj ti je vetem per te tjerr lesh gjekundi jo per keto "goditjet" gjigande qe ben kunder droges. Nderkohe qe DEA perpiqej te kapte peshqit e medhenj zotrote hidhje pordhet ne gjumin e 7te we beje. Ik o sardele mos dil e llomotit kot se te ka mbuluar muti koke e kembe.

    Përgjigju
  • Eno: 27/09/2019 14:50

    Super aksion i Pordhicise shqiptare... por me informacionin e DEA dhe Policise greke. Nuk ka nje operacion te policise sone nisur e bitisur vete. Atehere po hapuni bythesh.Edhe zedhenesi i policise ministri Leshi u lodh shume gjate operacionit... duke shkruar nje tweet.

    Përgjigju
  • Orangutangu qimekuq: 27/09/2019 14:04

    Z. Karlo po drejtori i Autoritetit Portual Durres, z. Tare a mban ndonje pergjegjesi qe ka rekrutuar si oficer te Forces se Sigurise Portuale kete Ardian Begen e sdapo arrwstuar per kete kuintalin e kokaines?!?!?!?!??!

    Përgjigju
  • Justice: 27/09/2019 13:39

    Po ai tipi me syze qe bente si shefi i DEA,pika qe sju bie.

    Përgjigju
  • lufi: 27/09/2019 13:16

    po mielli qe ngjan me shume me kokainen (ne prekje) eshte me i lire se orizi.

    Përgjigju
    • Ohohoh: 27/09/2019 16:59

      Me oriz i lajmeruan. Pse nuk i lan

  • Daku: 27/09/2019 13:09

    Super lajm, sapo kapen dy cironka ne portin e durresit! Si mund te arratiset ky tipi kur ka qene nendjekje nga forca te shumta policie ne cdo moment???? Aksioni u dekonspirua...shume e thjeshte! Peshku madh e cau rrjeten si perhere...

    Përgjigju
  • LORA: 27/09/2019 12:42

    Lajm i mire dhe shpreseplote per rritjen e pandalshme te profesionalizmit ne Policine e Shtetit

    Përgjigju
    • Tir: 27/09/2019 13:03

      Po ca ritje profesionale a zevendesohet kokaina me oriz.... ky ishte lajmi qe jeni ne vezhgim....nje dekonspirim i brencem.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Serbi/ Protestuesit dhunojnë qytetarin që mbante flamurin e Bashkimit Europian (VIDEO)

Serbi/ Protestuesit dhunojnë qytetarin që mbante flamurin e Bashkimit Europian (VIDEO)