Carlo Bollino: Një superdëshmitare dhe tre dokumente do të tregojnë nëse Nuhu gënjen

3 Tetor 2018, 14:16

Ka një dëshmitare kyç dhe të paktën tre dokumente, që mund të konfirmojnë apo të përgënjeshtrojnë përfundimisht akuzat e Emiljano Nuhut, ish-oficerit të Policisë që pretendon se i janë bërë kërcënime me vdekje më 21 korrik në darkë, ndërsa përpiqej të arrestonte Rexhep Rrajën, të birin e deputetit socialist të akuzuar se ka rrahur dhe përndjekur Xhisiela Malokun. Ndryshe nga sa ndodhi me “rastin Babale”, kur vërtetimi i është lënë një ekspertize zanore me një interpretim të dyshimtë, kësaj here fjala e Nuhut, dëshmitarit të ri të Akuzës të hedhur në fushë nga opozita, mund të verifikohet në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme.

Dëshmitarja kyç është prokurorja kurajoze e Krujës, Mirela Kapo, që po zhvillon hetimet dhe që të dielën urdhëroi arrestimin e Rexhep Rrajës: në letrën dërguar autoriteteve shqiptare më 14 gusht, para se të arratisej jashtë shtetit duke kërkuar azil, në fakt Emiljano Nuhu shkruan se në mbrëmjen e 21 korrikut 2018 mori në telefon urdhërin nga prokurorja Mirela Kapo që të arrestonte në flagrancë Rexhep Rrajën. Sipas tij, ishte pikërisht për të shmangur arrestimin, që djali i deputetit ka lajmëruar të jatin, Rrahman Rraja, që pastaj ka mbërritur me armë në dorë në Komisariatin e Fushe Krujes i shoqëruar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, nga kryetari i grupit socialist Taulant Balla e nja dhjetë njerëz të tjerë kërcënues.
 Policia pretendon se ky version është i gënjeshtërt, pasi më 21 korrik Emiljano Nuhu nuk ndodhej me shërbim në Fushë Krujë dhe, sipas imazheve të regjistruara nga telekamerat e sigurisë së Komisariatit, asnjë nga politikanët e përmendur në letër nuk ka qenë në rajonin e Policisë. Nuhu e ka parashikuar edhe këtë kundërshtim, duke hamendësuar se imazhet e Komisariatit janë manipuluar. Por, ato që nuk mund të manipulohen janë tabulatet e telefonit të Mirela Kapos, ato të telefonit të Emiljano Nuhut dhe ato të drejtorit të Policisë së Krujës, të gjitha këto 3 dokumenta elektronike në duar të shoqërive telefonike dhe që prokuroria e Tiranës duhet të kërkojë.

A është e vërtetë që mbrëmjen e datës 21 korrik prokurorja Mirela Kapo ka marrë një telefonatë nga Emiljano Nuhu? Dhe çfarë do të thotë Mirela Kapo kur do të dëgjohet nga Prokuroria e Tiranës se po heton mbi kërcënimet e pretenduara që i janë bërë Nuhut? A do të konfirmojë se i ka dhënë Nuhut urdhërin me telefon që të arrestojë djalin e deputetit, urdhër që do të shkaktonte më pas reagimin e dhunshëm të fisit politik të Rexhep Rrajës? Dhe në rast se gjërat do të kishin shkuar sikurse tregon Nuhu, a ka gjurmë në tabulatet edhe të telefonatës së dytë, me të cilën Nuhu pretendon se ka informuar prokuroren Mirela Kapo se arrestimi nuk ishte bërë për shkak të ndërhyrjes së grupit të njerëzve të armatosur? Dhe a ka në tabulatet e telefonit të drejtorit të Policisë së Krujës gjurmë të regjistruara të bisedave me Emiljano Nuhun, që ai pretendon se ka bërë po atë mbrëmje të 21 korrikut, duke kërkuar përforcime për të arrestuar Rexhepin?

Aspekti politik i historisë “Xhisiela” në të vërtetë rrotullohet rreth kësaj pike. Në rast se Prokuroria e Tiranës vërteton se Emiljano Nuhu dhe Mirela Kapo mbrëmjen e 21 korrikut nuk kanë komunikuar mes tyre dhe se prokurorja më pas nuk urdhëroi Nuhun dhe asnjë tjetër që të arrestonte Rexhep Rrajën, e gjithë historia e kërcënimeve politike e ngritur nga ish-polici në kërkim të azilit politik shkërmoqet si një kështjellë prej rëre. Siç e kemi parë, do të jetë shumë e thjeshtë të verifikohet dhe askush s’do të mundë të sajojë alibi për të thënë se nuk është e qartë se si qendron e vërteta. 

Madje, vetë Nuhu, kur bëri më 30 korrik një kallzim në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet what’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë. Dhe, gjatë këtij takimi, që u zhvillua në lokalin “Richmond”, këta të dy e kanë kërcënuar deri në atë pikë, sa ta detyronin të hiqte dorë nga hetimi dhe dy javë më pas të arratisej jashtë shtetit në kërkim të azilit. Pse në kallzimin e 30 korrikut Emiljano Nuhu nuk përmend në asnjë rast edhe kërcënimet që kishte marrë nëntë ditë më parë?

As në mesazhin e “qytetarit dixhital” të publikuar nga Sali Berisha më 29 korrik (dhe burimi i të cilit duket të ketë qenë pikërisht Emiljano Nuhu) nuk përmendet në asnjë rast sulmi i armatosur i 21 korrikut: mesazhi është plot me detaje mbi dhunën ndaj Xhisielës nga ana e Rexhep Rrajës, por nuk lexohet as edhe një rresht i vetëm mbi hyrjen e njerëzve të armatosur në Komisariatin e Fushë Krujës. Pse? Sipas Policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik. Ja pse në asnjë denoncim të shpërndarë apo të dorëzuar prej tij para 14 gushtit nuk është folur kurrë për këtë.

Të verifikosh me saktësi se çfarë ka ndodhur me të vërtetë mbrëmjen e 21 korrikut në Komisariatin e Fushë Krujës është thelbësore, pasi do të shërbejë për të provuar sinqeritetin e Emiljano Nuhut dhe për të treguar apo për të përgënjeshtruar në mënyrë të qartë implikimin e drejtuesve të rëndësishëm socialistë në këtë skandal dhune dhe perndjekje.

Të zbulosh të vërtetën mbi mbrëmjen e 21 korrikut do të shërbejë edhe për t’i dhënë sërish pak qetësi Xhisiela Malokut, e detyruar prej ditësh tashmë, jo vetëm të luftojë me fantazmat e dhunës së pësuar dhe të një dashurie të sëmurë, por edhe të përballojë një linçim fizik e moral nga ana e atyre politikaneve e gazetareve që pretendojnë t’i nxjerrin me çdo kusht një “të vërtetë”, që ajo nuk ka ndërmend ta pohojë. Në rast se politika del jashtë skene, ndoshta Xhisiela do të mundë të fillojë të bëjë përsëri një jetë larg prozhektorëve, me një mbështetje që sot Shteti ka detyrimin t’ia japë dhe me impenjimin se do t’i jepet më në fund drejtësi, bashkë me pak respekt.