Celula e kontrabandistëve/ Kush janë 7 personat tregtarë rrobash e taksistë që kërkohen nga policia

25 Dhjetor 2019, 22:30

KORÇËKontrabandimi i 4 trajlerave, me veshmbathje dhe goma makine nga një grup, i përbërë nga persona me banim në Bilisht dhe Korçë, ka sjellë shpalljen në kërkim të 7 personave si të dyshuar në implikimin e kësaj ngjarje.

Pritet që në ditët në vijim policia dhe prokuroria e Korçës, të konkretizojë në arrestime të tjera për këtë rast të kontrabandimit të mallrave nga pika kufitare me Maqedoninë, ku kjo celulë kontrabandistësh dyshohet se e ka të përsëritur këtë aktivitet kriminal. Hetimet e kryera nga policia dhe prokuroria, rezulton se në këtë veprimtari kriminale janë Elton Zoto, i cili dyshohet se ka dhe një proces të hapur në prokurorinë e Tiranës për akuzën e mashtrimit me TVSH-në. Që prej datës 8 dhjetor e në vazhdim, Zoto rezulton në kërkim nga prokuroria e Korçës. Mes personave që janë shpallur në kërkim janë dhe Artur Yzeir, një tregtar veshmbathjesh, Arjan Pani edhe ky një tjetër tregtar veshmbathjesh me pakicë në Korçë, Astrit Hoxha, Dhimitër Kërthi, Niko Stojan tregtar në Korçë dhe Mimi Kello nga Bilishti që punon si taksist. Të shtatë këta persona po ndiqen nga prokuroria dhe policia e Korçës, si personat përgjegjës që kanë organizuar në forma të ndryshme, kalimin kontrabandë të 4 kamionëve me veshmbathje dhe goma makine nga pika e kalimit kufitar të Goricës.

Hetimet tregojnë se për të kaluar pa kontroll dhe peshim të mjeteve në pikën kufitare, ka dyshime të forta se 7 personat kanë bashkëpunuar me policët dhe doganierët e arrestuar dy javë më parë si: Shpendi Dragolli, ish-kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Korçë. Mes të arrestuarve që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 7 personat e shpallur në kërkim, nuk mungojnë dhe emra militantësh të Partisë Socialiste në Korçë si Bilal Hysollari, Ylli Rapo, Astrit Haxhi dhe Janaq Kitani. Nga hetimet e kryera, është konstatuar se pikërisht në mesnatën e 7 dhjetorit 2019, policët kufitarë kanë lejuar të kalojnë pa asnjë kontroll dhe peshim, të katër kamionëve të mëdhenj,t ë ngarkuar me goma automjetesh dhe veshje të ndryshme.

Për futjen e këtyre katër kamionëve, është përdorur një skemë e sofistikuar duke ndryshuar targat e mjeteve. Madje njëri nga kamionët ka hyrë nga Greqia në Maqedoni dhe më pas ka depërtuar në territorin shqiptar. Një situatë të tillë dyshohet se ka përdorur Mimi (Neim) Kello nga Bilishti, i cili momentalisht është në kërkim. Mimi Kello, thotë prokuroria i ka marrë makinën shokut të tij, Geraldi. M, i cili punon në një kompani private sallami. Mirëpo teksa ia ka kthyer makinën, Geraldi.M, ka konstatuar në mëngjes se automjetit të tij “Benz”, i mungonin targat. Pikërisht këto targa, dyshohet të jenë hequr nga Mimi Kello, dhe ato janë gjetur dhe sekuestruar në kabinën e kamionit të ngarkuar me goma makine, të sekuestruar në Maliq, i cili kishte hyrë nga Greqia në Maqedoni dhe më pas në Shqipëri. Menjëherë është kërkuar lokalizimi dhe arrestimi i Mimi Kello, por ky person nuk është gjendur nga policia në banesën e tij dhe në objektet e tjera të kontrolluara.

Momentalisht ndaj tyre dhe policisë kufitarë të arrestuar është ngritur akuza e “Falsifikimit të të dhënave kompjuterike”,”Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Shpërdorim detyre”,” Korrupsioni pasiv i personave me funksione publike” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë”.